Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sot ka pritur në takim delegacionin e Ambasadës Japoneze në Kosovë, të përbërë nga i ngarkuari me punë në këtë ambasadë, Mitsunori Ogasawara.
Kuçi fillimisht e falënderoi Ogasawara për ndihmën që nga paslufta të shtetit Japonez në Kosovë.
Ai më tej e njoftoi me gjendjen aktuale ekonomike në vend dhe me nismat qeveritare për të rimëkëmbur ekonominë, ku kërkoi që strategjitë dhe planet e agjencive të huaja dhe ambasadave, do të duhet të përshtaten me Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike në Kosovë.
“Ne jemi në një kohë pandemie dhe gjendja ekonomike nuk është e mirë, sikur në shumë vende të botës. Ajo që ka rëndësi, është plani për rimëkëmbje ekonomike, që ka filluar mirë me miratimin e rishikimit të buxhetit, por që pret edhe kalimin e dy ligjeve që të na hapë rrugën për veprim më të shpejt, ku ndihma do të shkojë direkt te qytetarët, ndërmarrjet private dhe ndërmarrjet publike”, ka thënë Kuçi.
Ogasawara u shpreh i gëzuar për vazhdimin e projektit që ka të bëjë me ndotjen e ajrit e që ndihmohet nga JICA. Ai tha se janë të fokusuar në ambient dhe ekonomi, duke përmendur sektorin e menaxhimit të mbeturinave dhe disa ndihmave që janë dhënë në regjionin e Prizrenit.
Ministri Blerim Kuçi dhe i ngarkuari me punë në këtë ambasadë, Mitsunori Ogasawara u dakorduan që bashkëpunimi mes dy vendeve të jetë konkret dhe afatgjatë. /Telegrafi/