Situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e qetë por e brishtë. Këto ditë janë bërë një vit nga sulmi që ndodhi ndaj pjesëtareve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
Lidhur me situatën në këtë pjesë , Gurakuç Kuçi, hulumtues në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, ka thënë Telegrafin se Serbia vazhdimisht monitoron situatën, duke pritur mundësinë për të rikthyer tensionet dhe përplasjet me organet e sigurisë, përmes demonstratave dhe veprimeve të tjera, deri në akte terroriste si ato të 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
Sipas tij në të kaluarën ish-pjesëtaret e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb kanë kryer hapur veprime kriminale .
“Në të kaluarën, gjatë protestave të një viti më parë, individë të maskuar, ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb dhe struktura kriminale si “mbrojtja civile” dhe “rojet e urës” kryenin veprime kriminale hapur, tani ata nuk përbëjnë më një kërcënim të hapur as për organet e sigurisë së Kosovës dhe as për vetë komunitetin serb, të cilin dikur e detyronin të merrte pjesë në demonstrata dhe krijonin mbështetje artificiale”, ka deklaruar Kuçi.
Kuçi ka theksuar se gjatë muajit maj, Serbia ka tentuar disa herë të provokojë eskalimin e situatës, por organet e sigurisë së Kosovës kanë qenë vigjilente dhe kanë marrë masa të menjëhershme për të parandaluar këto veprime.
I pyetur rreth masave të sigurisë që janë ndërmarrë vitin e fundit për të parandaluar dhe reaguar më efektivisht ndaj sulmeve të ngjashme siç ndodhën një vit më parë, Kuçi ka theksuar se organet e sigurisë së Kosovës kanë bërë një hap të madh përpara duke identifikuar pothuajse të gjithë individët e përfshirë në struktura kriminale dhe terroriste.
“Kjo mundëson monitorimin e tyre më të lehtë dhe bllokon rikthimin e tyre në Kosovë. Niveli i gatishmërisë është rritur ndjeshëm, me një bashkëpunim të thelluar mes Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, duke siguruar një mbrojtje dhe një monitorim më rigoroz të kufijve”, është shprehur Kuçi për Telegrafin.
Ai ka shtuar se Policia e Kosovës, që nga dorëheqja e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb me urdhër të Vuçiqit, i ka zëvendësuar ata me sukses duke integruar dhe angazhuar pjesëtarë të rinj nga gjitha komunitet, e edhe ai serb.
“Ata tani patrullojnë dhe kryejnë detyra të rregullta në veri përgjatë kufirit me Serbinë dhe brenda territorit të Kosovës. Ndërkohë, NATO ka shtuar forcat ushtarake në Kosovë dhe ka intensifikuar vëmendjen politike ndaj situatës, duke garantuar një reagim më të shpejtë dhe efektiv ndaj çdo kërcënimi të mundshëm. Këto masa jo vetëm që forcojnë sigurinë, por edhe dërgojnë një mesazh të qartë se destabilizimi nuk do të tolerohet dhe kapërdihet lehtë”, tha Kuçi.
Kuçi u shpreh se Serbia është kërcënuesja e stabilitetit në rajon dhe një Proxy e Rusisë që vepron në koordinim të plotë dhe veprimet e tyre janë të gjitha pjesë e strategjive të mirë-menduara.
“Komuniteti perëndimor duhet ta ndaloj qasjen e tolerimit dhe “politikës së paqëtimit” ndaj Serbisë, pasi jo e fundit mund të i përsërisë veprimet e saj në kuadër të luftë hibride në shkallë çdo herë e më të gjerë. Përderisa më Hitlerin dhe Putinin janë bërë gabime me këtë lloj politike, nuk do të duhej e njëjta të përsëritej edhe me Vuçiqin”, tha ai.
Majin e vitit të kaluar, serbët në veri protestuan kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill, pas bojkotimit të procesit zgjedhor nga serbët dhe partitë serbe.
Dhuna në veri bëri që NATO të dislokonte afër 1.000 ushtarë shtesë. Për shkak të dhunës në veri majin e vitit të kaluar, por edhe sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator, KFOR-i rriti praninë ushtarak në Kosovë dhe tani ka rreth 4.700 ushtarë. /Telegrafi/