Site icon Telegrafi

Kubëzohet trotuari në Dumnicë të Poshtme të Podujevës

Për të përcjellë nga afër punimet në ndërtimin e trotuarit, kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, vizituan sot fshatin Dumnicë e Poshtme, ku është duke u ndërtuar trotuari në një gjatësi prej 1,3 km, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Veliu tha se në kuadër të realizimit të projekteve të infrastrukturës në komunën e Podujevës, aktualisht janë duke u realizuar projekte të ndërtimit të trotuareve me kubëza dhe janë finalizuar disa të tjera, transmeton Koha.net.

“Ndërtimi i këtij trotuari me kubëza i shtohet projekteve të tjera të tjera që jemi duke realizuar gjatë këtij viti. Ndërtimi i trotuareve vazhdon të mbetet një nga prioritetet në investimet kapitale infrastrukturore, me qëllim të krijimit të mundësisë për lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt të qytetarëve tanë, përgjatë rrugëve të asfaltuara”, tha Veliu.

Banorët e fshatit Dumnicë e Poshtme u shprehën të kënaqur për realizimin e këtij projekti, në këtë segment rrugor, sepse trotuari do të mundësojë lëvizje të sigurt të qytetarëve e veçmas nxënësve.

Në periudhën e deritashme të këtij viti në lokalitete të ndryshme të komunës së Podujevës janë ndërtuar mbi 16.5 kilometra trotuare me kubëza.

Exit mobile version