Qasja për kubanët në internet deri më tani ka qenë e kufizuar vetëm në zona të caktuara, dhe ata së pari është dashur të blejnë një “mbushje” nga kompania shtetërore kubane e telekomunikacionit, Etecsa.
Historikisht në shtetin e Kubës, qasja në internet ka qenë e kontrolluar rreptësishtë, përcjell Telegrafi.
Deri në vitin 2008 qytetarët kubanezë që kanë pasur interesim për të poseduar një telefon celular apo një kompjuter personal është dashur të marrin leje nga qeveria.
Por, një test që qeveria e vendit ka bërë të martën për një periudhë nëntë orëshe ka ngjallur shpresën te kubanezët se ata më në fund do të kenë qasje në internet edhe në shtëpitë e tyre.
Siç raporton New York Times, të gjithë konsumatorët e kompanisë shtetërore të telekomunikacionit, të martën kanë pasur qasje falas në shërbimet e internetit nga ora 11 e paradites deri në ora 7 e mbrëmjes.
Entuziazmi i qytetarëve për këtë qasje në internet ishte i madh, pavarësisht se rrjeti ishte i dobët.
Në vitin 2015 qeveria në Kubë kishte lejuar vendosjen e 240 pikave nga ku qytetarët mund të navigonin në faqe te caktuara në internet, por ndërkombëtarët e shohin ende me skepticizëm rolin e autoriteteve kubaneze për lirinë e shprehjes dhe normat tjera demokratike. /Telegrafi/