Kuba do të njohë zyrtarisht pronën private për herë të parë, falë Kushtetutës së re që përfshin një numër të shumtë ndryshimesh, sipas asaj që informojnë mediet shtetërore. Shitja e pronave u ndalua me ligj pas ardhjes në pushtet të Fidel Castros në vitin 1959, por u lejua pas ndryshimit të ligjit në vitin 2011.
Kushtetuta e re e shtetit të drejtuar nga komunistët do të riafirmojë faktin se planifikimi qendror dhe ndërmarrjet shtetërore janë kyçe për ekonominë. Ajo pritet të miratohet përmes një votimi në Asamblenë Kombëtare javën e ardhshme.
Draftkushtetuta do të kërkojë gjithashtu edhe votën popullore përmes një referendumi, për miratimin përfundimtar të saj në pjesën e mbetur të këtij viti. Nëse ajo kalon, do të zëvendësojë Kushtetutën aktuale që u miratua nga Partia Komuniste në vitin 1976.
Bazuar në reformat e propozuara, Partia Komuniste do të mbetet forca politike dominuese në Kubë, por presidentët do të kufizohen me dy mandate 5-vjeçare radhazi, ndërsa pushteti politik do të ndahet mes presidentit dhe kryeministrit.
Që prej vitit 2010, Kuba ka ndërmarrë një seri reformash tregtare, me synimin për të forcuar ekonominë e vendit ishullor.
Asambleja Kombëtare ka propozuar një seri reformash kushtetuese muajin e kaluar, përfshi edhe kufizimin e mandateve presidenciale dhe legalizimin e martesave gay, teksa vendi pritet të përcaktojë edhe të ardhmen politike.
Reforma e fundit kushtetuese e vitit 2002 dekretoi se, karakteri socialist i sistemit politik në Kubë ishte i parevokueshëm. Presidenti Miguel Diaz-Canel njoftoi muajin e kaluar se ish-presidenti Raul Castro do të udhëheqë reformat potenciale. Diaz-Canel mori frerët e pushtetit nga Castro gjatë muajit prill, ndërkohë që vëllezërit Castro, me Fidelin fillimisht dhe Raulin më pas, sunduan vendin mes viteve 1959 dhe 2018. /Telegrafi/