Kuba e ka emëruar kryeministrin e parë që kur Fidel Castro u bë president në 1976.
Ministrit të Turizmit Manuel Marrero Cruz, 56 vjeç, sot iu dha detyra kryesore me konfirmimin e tij nga Asambleja Kombëtare për të marr postin e kryeministrit të vendit.
Marrero ka qenë ministër i turizmit për 16 vjet, duke shënuar një rritje të vizitorëve dhe një bum ndërtimi hotelesh që e ka bërë turizmin një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë kubaneze, transmeton Telegrafi.
Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel përmendi përvojën e Marrero në negociatat me investitorët e huaj si një nga kualifikimet e tij kryesore, sipas mediave shtetërore.
Pozita e kryeministrit u mbajt nga Fidel Castro nga 1959 në 1976, kur një kushtetutë e re ndryshoi titullin e tij në president dhe eliminoi postin e kryeministrit.
Castro dhe vëllai i tij Raúl mbajtën postin presidencial së bashku me postet e tjera më të larta të Kubës, si kreu i Partisë Komuniste, deri këtë vit.
Raúl Castro u tërhoq si president dhe një kushtetutë e re ndau përgjegjësitë e presidentit midis pasardhësit të Castro, Miguel Diaz-Canel dhe postit të ri të kryeministrit.
Kushtetuta e re parashikon kryeministrin si përgjegjës për punën e përditshme të qeverisë si kryetar i Këshillit të Ministrave.
Kryeministri ka një mandat pesë-vjeçar dhe emërohet nga Diaz-Canel dhe miratohet nga Asambleja Kombëtare, e cila miraton unanimisht çdo propozim të paraqitur para tij, me një përjashtim të njohur në historinë e fundit. /Telegrafi/