Site icon Telegrafi

Ku përfundojnë mbeturinat e pajisjeve mbrojtëse dhe mbetjet medicinale për COVID-19?

Stafi mjekësor dhe organizatat e ndryshme joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit kanë shprehur shqetësimin e tyre për rrezikshmërinë e qytetarëve nga prania e pajisjeve dhe produkteve mjekësore, që përdoren për mbrojtjen dhe trajtimin e pacientëve të sëmurë me COVID-19, në ambiente të ndryshme në Kosovë.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për përdorimin e maskave dhe dorezave për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, është rritur sasia e mbeturinave të tyre jashtë kontejnerëve.

Nga organizata “Ta pastrojmë Kosovën”, e cila merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, thonë se pas shpalljes së pandemisë nuk është vërejtur ndonjë aktivitet shtesë nga organet kompetente që t’i trajtojnë në mënyrë të veçantë këto mbetje.

Luan Hasanaj, drejtor ekzekutiv në këtë organizatë, thotë se në këtë mënyrë po rrezikohet shëndeti i qytetarëve dhe vullnetarëve të kësaj organizate, që merren me pastrimin e hapësirave të ndryshme të Kosovës.

“Ne u sugjerojmë autoriteteve shëndetësore që të vendosin shporta dhe kontejnerë të veçantë për të gjitha medikamentet mjekësore që përdoren për trajtimin e personave të sëmurë me COVID-19, mirëpo edhe atyre që shkojnë për të kërkuar trajtim. Duhet të ketë kosha të veçantë për mbeturina. Pastaj, edhe kompanitë, të cilat merren me menaxhimin e mbeturinave, duhet t’i trajtojnë këto në mënyrë të veçantë”, thotë Hasanaj për Radion Evropa e Lirë.

Por, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pohojnë se të gjitha mbetjet medicinale, duke përfshirë edhe rrobat mbrojtëse njëpërdorimshme kundër COVID-19, trajtohen në impiantin për trajtimin e mbetjeve medicinale – impiant ky që ekziston në kuadër të QKUK-së.

Mehdi Krasniqi, shef i sektorit të shërbimeve teknike në QKUK, tregon se në këtë impiant trajtohen edhe mbetjet medicinale të Qendrave të Mjekësisë Familjare.

“Në këtë impiant bëhet trajtimi i të gjitha mjeteve medicinale, si; shiringa, infuzione, rrobat mbrojtëse dhe gjëra tjera. Së pari, grimcohen përmes aparaturës përkatëse, pastaj përmes avullit deri në 180 gradë Celsius bëhet sterilizimi i tyre. Nga sasia e përgjithshme e mbetjeve medicinale, pas trajtimit mbetet vetëm 1/3 e sasisë. Sterilizohen dhe dalin si mbeturina të zakonshme. Më pas trajtohen nga kompania ‘Pastrimi’ që i grumbullon ato dhe i hedh në deponi përkatëse”, shpjegon Krasniqi.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë është kompani publike, e cila merret me grumbullimin, bartjen dhe menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë dhe në gjashtë komuna të tjera të Kosovës.

Zyrtarë të kësaj kompanie nuk kanë informacione zyrtare se në çfarë forme trajtohen këto mbeturina.

Arbnora Ademi, zëdhënëse në kompaninë “Pastrimi”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se kompania bën grumbullimin e mbeturinave edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në institucione tjera shëndetësore dhe shumë herë has në maska, doreza dhe pajisje tjera mbrojtëse, që, sipas saj, paraqesin rrezik për shëndetin e punëtorëve.

Grumbullimi i mbeturinave, thotë ajo, është duke u bërë në mënyrë të rregullt sikur para pandemisë.

“Ne kemi marrëveshje me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për grumbullimin e mbeturinave. Mirëpo, sa i përket gjendjes së tanishme me COVID-19 për masat mbrojtëse, nuk kemi asnjë marrëveshje konkrete. Ne bëjmë largimin e atyre mbeturinave në hapësirat e QKUK-së gjatë 24 orëve. Ka maska, doreza, pajisje mbrojtëse të stafit mjekësor, ka produkte mjekësore që punëtorët e kompanisë ‘Pastrimi’ i largojnë. Ne nuk e dimë ku përfundojnë ato mbeturina, a përfundojnë në ndonjë kompani tjetër apo përfundojnë në kontejnerët e kompanisë sonë për të cilët kryejmë shërbimin…”, thotë Ademi.

Pas grumbullimit nga kompania “Pastrimi”, mbeturinat, çfarëdo qofshin ato, dërgohen në deponinë e mbeturinave në Mirash të Komunës së Obiliqit.

Kjo deponi menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë. Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Abdullah Haxhiu, thotë se nuk ka informacione nëse në mbeturinat e deponuara ka pajisje dhe produkte mjekësore.

“Ne nuk kemi mekanizëm që të identifikojmë a janë duke ardhur produkte mjekësore. Ne e provojmë me forma klasike, përmes mjeteve të dorës, për të parë nëse ka këso lloj mbeturinash. Por, është shumë problem, për shkak se ato, në shumicën e rasteve, vijnë në thasë të ndryshëm dhe është problem të identifikohen. Kështu që, e gjithë sasia e mbeturinave mbulohet me dhe”, thotë Haxhiu.

Por, sipas përfaqësuesit të kësaj kompanie, mbeturinat e tilla mund të jenë të rrezikshme për punëtorët e këtyre kompanive, por edhe mbledhësit ilegalë.

Përveç mbetjeve medicinale në hapësirat e qendrave shëndetësore, Luan Hasanaj, nga organizata joqeveritare “Ta Pastrojmë Kosovën”, thotë se në Kosovë është një ndotje enorme e mjedisit nga përdorimi i maskave, dorezave, shisheve të dezinfektueve dhe pajisjeve tjera mbrojtëse personale, që hidhen nga qytetarët e pandërgjegjshëm.

“Ne, gjatë aktiviteteve të përditshme, kemi vërejtur se këto pajisje hidhen pa kontroll në shumë hapësira. Pra, shihet një prezencë shumë e madhe, qoftë e maskave, e dorezave, por edhe e medikamenteve, të cilat qytetarët i hedhin pa kontroll”, thotë Hasanaj.

Nga prania e këtyre pajisjeve në rrugë, mundësia e përhapjes se virusit ekziston, thotë infektologu Arben Vishaj.

“Hedhja e maskave në ambiente të hapura është një procedurë e rrezikshme që mund të çojë te përhapja e infeksionit. Më së shumti të rrezikuar janë punëtorët komunalë që i grumbullojnë këto mbeturina dhe fëmijët. Hedhja e maskave, përveçse është veprim i pahijshëm, është sjellje që e dëmton seriozisht shëndetin e njerëzve tjerë, kur dihet fakti se virusi mund të qëndrojë në përmbajtje të tekstilit me ditë të tëra”, thotë Vishaj.

Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës, më 28 korrik, 2020, ka marrë vendim, në bazë të të cilit të gjithë banorët e Republikës së Kosovës obligohen që t’i bartin maskat në fytyrë në të gjitha veprimtaritë jashtë shtëpive/banesave të tyre.

Nëse nuk respektohen këto masa, qytetarët mund të ndëshkohen në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, i cili është miratuar nga mesi i këtij muaji në Kuvendin e Kosovës.

Në bazë të këtij ligji, i cili të mërkurën është publikuar në gazetën zyrtare, thuhet se ”personi fizik që nuk respekton vendimin për mbajtjen e maskës dhe mbajtjen e distancës, dënohet me gjobë 35 euro”.

Exit mobile version