Telegrafi

Ku ndodhet Roman Abramovich pas shitjes së Chelsea: Miliarderi rus sot jeton krejtësisht ndryshe me kohën kur ishte në futboll

Një nga pronarët më të suksesshëm të një klubi në historinë e futbollit, Roman Abramovich, iu përkushtua një jetese krejtësisht të ndryshme dhe më paqësore pasi u detyrua të shiste klubin e njohur anglez Chelsea.

Abramovich e bëri Chelsean një nga klubet më të mira në botë, fitoi dy tituj të Ligës së Kampionëve dhe e vendosi klubin lart në hartën e futbollit anglez ndër më të trofeshmit.

Megjithatë, me fillimin e agresionit rus kundër Ukrainës dhe futjen e sanksioneve në Britaninë e Madhe, atij iu desh ta shiste klubin vitin e kaluar.

Chelsea përfundoi në duart e pronarit të ri Todd Boehly, i cili ende duket se nuk e di se çfarë po bën dhe Abramovich është tërhequr plotësisht nga bota e futbollit gjatë asaj kohe dhe po bën një jetë më të qetë se kurrë.

Gjatë verës, Abramovich bleu një pronë në Stamboll dhe pati raportime se ai donte të investonte para në një ekip nga Turqia, por në fund nuk ndodhi.

Lexo po ashtu Chelsea mund të përballet me heqje të pikëve, Liga Premier ka nisur hetimet për dy transferime të bëra vite më parë

Sipas mediumit The Athletic, jeta e Abramovich është mes Soçit, Stambollit dhe Tel Avivit dhe se ai ndonjëherë udhëton edhe në Dubai, por pa u kthyer në Britaninë e Madhe, ku arriti sukseset më të mëdha në botën e futbollit.

Ai nuk është më i interesuar për atë punë dhe nuk “vazhdon fare me sportin” pas shitjes së Chelseat.

Mirëpo, ndërkohë, u shfaqën informacione se Liga Premier është duke hetuar transferimet e Willian dhe Samuel Eto’o, të cilët mbërritën te Chelsea në kohën kur Abramovich ishte pronar i klubit.

Transaksionet financiare që lidhen me nënshkrimin e kontratës janë të diskutueshme dhe nuk është e pamundur që në fund të jetë përgjegjës rusi.

“Këto pretendime të diskutueshme datojnë që nga pronësia e mëparshme e klubit. Ato kanë të bëjnë me punët e kontrolluara nga ish-pronari i klubit dhe nuk kanë të bëjnë me asnjë person të punësuar aktualisht”, thuhej në deklaratën e Chelseat.

Lexo po ashtu A po i fsheh Roman Abramovich miliardat në kompanitë gjermane?

Kujtojmë se Abramovich është dashur të shesë Chelsean dhe Boehly është bërë pronar i klubit më 30 maj të vitit të kaluar.

Ai mezi e çoi klubin në Ligën e Kampionëve në sezonin e parë, por nuk arriti ta bëjë këtë në sezonin tjetër. Nuk ka gjasa që të jetë kështu këtë vit. /Telegrafi/