Instituti “Dimitria Çupovski” është shoqatë fantome e krijuar nga njerëz të OBRM-PDUKM-së me qëllim plasimin e anketave për të ndikuar në mendimin publik se partia në pushtet është e pamposhtur. Ky institut, realisht nuk ekziston askund edhe pse 6 vjet është e regjistruar në një adresë ku fillimisht jetonin disa studentë, ndërkaq tash jeton një familje, transmeton Portalb.
Ekipi i portalit A1on.mk ka kërkuar selinë e Institutit, por në adresën e tyre ka gjetur një familje.
“Ju lutem mos na pyesni asgjë. Nuk ka këtu institut”, është përgjigjur gruaja e cila jeton në adresën e institutit.
Më vitin 2010, pasi që televizioni A1 ka zbuluar manipulimet e institutit në fjalë, respektivisht kishte parashtruar pyetjen ku dhe si ekspertët e Institutit kishin kryer telefonatat për anketë, ndërkaq kryetari i Institutit “Dimitria Çupovski”, Perica Spasevski ishte përgjigjur:
“Ia dalim, disi, anketat i bëjmë kush si mundet, dikush nga puna- pjesë e tyre është edhe kjo, hulumtimi. Gjithsesi, në shtëpi, tani për tani po ia dalim”, pat thënë Spasevski.
Ai nuk pat zbuluar as atë se cilët ekspertë i kryejnë anketat.
Në anketën e fundit të institutit, e para del OBRM-PDUKM me 27,6%, ndërsa LSDM me 16.1%, ose shprehur me deputetë, VMRO-DPMNE 63, LSDM 35, BDI 13, ndërkaq PDSH, 6. /Telegrafi/