Në rast se ekipet e KSHZ-së në terren vërtetojnë të dhëna të rreme, atëherë ky Institucion nuk ka kompetencë për të fshirë ato të dhëna të qytetarëve. Kjo për shkak se të dhënat duhet fillimisht të pastrohen nga Institucionet prej ku edhe azhurnohet lista zgjedhore. Kështu theksoi kryetari i KSHZ-së Aleksandar Çiçakovski. Ai në emisionin “360 gradë” në Alsat-M tha se detyrë e institucionit që ai drejton, është të heqë dyshimet për të dhënat e votuesve në listën e zgjedhësve, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Që KSHZ-ja të mund të bëjë ndryshime të caktuara në listën e zgjedhësve sipas detyrës zyrtare është e nevojshme që të ekzistojë bazë ligjore, ose të ketë akt ligjor që është sjellë nga organet kompetente që udhëheqin me evidencat në bazë të të cilave krijohet lista e zgjedhësve”, deklaroi Aleksandar Çiçakovski, Kryetar i KSHZ-së.
Çiçakovski komentoi edhe vendimin e shumë përfolur për mos verifikimin e 124 mijë votuesve të cilët aktualisht supozohet se jetojnë jashtë vendit. Sipas tij, e drejta e tyre e votës është e pakontestueshme por identifikimi i tyre është bërë me qëllim të hedhjes së tyre në një listë të veçantë.
“Ne edhe më tutje në kuadër të KSHZ-së bëjmë konsultime se si në mënyrë plotësuese se si, në bashkëpunim me institucionet shtesë, të sqarojmë statusin e këtyre personave, a janë të evidentuar se janë me punë të përkohshme jashtë ose jo. Këtë evidencë e ka MPB-ja”, tha Aleksandar Çiçakovski, Kryetar i KSHZ-së.
Përkundër asaj që është thënë më herët, Çiçakovski tha se kontrolli në terren, në kushte ideale, mund të përfundojë edhe brenda një jave./Telegrafi/