Telegrafi

Kryeziu: Serbia kërcënoi me tërheqje nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëhej pjesë e Asociacionit Frankofon të Gjykatave Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të enjten ishte refuzuar të bëhej pjesë e Asociacionit Frankofon të Gjykatave Kushtetuese (ACCF), në kongresin e mbajtur në Dakar të Senegalit, kjo pasi Serbia ka vazhduar me lobime kundër, duke kërcënuar se nëse “Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pranohet ata do të tërhiqen nga ky mekanizëm”.

Në një prononcim për Telegrafin, ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka dhënë detaje të pikave që sipas tij i ka përdorur Gjykata Kushtetuese e Serbisë.

Kryeziu tha se Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka lobuar në këtë Asociacion që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të mos pranohet.

Ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu

Kryeziu ka treguar se cilat ishin argumentet që Gjykata Kushtetuese e Serbisë i përdori në këtë rast, kundër Kosovës.

“Rasti i Kosovës është rast ‘Sui Generis’, për shkak se Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka lobuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të mos pranohet në këtë Asociacion. Argumentet e Gjykatës Kushtetuese të Serbisë kanë qenë këto: e para ka thënë se ne nuk e njohin Kosovën si shtet dhe ‘nuk ka mundësi dy gjykata Kushtetuese të të njëjtit shtet të jenë anëtar të këtij forumi’. E dyta kanë kërcënuar se nëse pranohet Gjykata Kushtetuese e Kosovës ‘ne tërhiqemi nga ky asociacion’ ”.

Ndërkaq, tutje Kryeziu u shpreh se ky Asociacion përbëhet nga 50 shtete ose 50 Gjykata të botës.

“Pranimi në këtë Asociacion bëhet përmes kërkesave. Janë disa standarde formale që duhet plotësuar. Por faktikisht kush e bën kërkesën, pranohet”, tha ndër të tjera ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.

Lexo po ashtu Kosova dështon të anëtarësohet në Asociacionin Frankofon të Gjykatave Kushtetuese

Ndryshe, Asociacioni Frankofon i Gjykatave Kushtetuese (ACCF), të enjten ka refuzuar pranimin e Kushtetueses së Kosovës, në kongresin e mbajtur në Dakar të Senegalit.

Lajmin e kishte bërë të ditur për Telegrafin, Veton Dula, drejtor i Zyrës për Komunikimin dhe Informimin në Kushtetuese.

Ai kishte thënë se Kushtetuesja pati dorëzuar kërkesën për anëtarësim në ACCF, vitin e kaluar dhe kjo është hera e parë e aplikimit në këtë Asociacion.

Ndërsa, sipas mediave në Serbi, në Asamblenë e Përgjithshme të ACCF-së të mbajtur në Dakar, Serbia ka ‘argumentuar’ pse Kosova sipas tyre nuk i plotëson kushtet për pranim në Asociacion.

Shoqata e Gjykatave Kushtetuese Frankofone është krijuar më 1997, si iniciativë e gjuhëve të huaja të Francës për të raportuar mes anëtarëve të frëngjishtfolëse.

Në vitin 2019 ndërroi emrin. Tani ka 50 anëtare nga Afrika, Evropa, Amerika e Azia.

Asambleja e përgjithshme mbahet çdo tre vjet. Anëtare është edhe Shqipëria. /Telegrafi/