Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, priti në takim njohës ambasadorin e ri të Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.
Sipas njoftimit për media gjatë bashkëbisedimit, kryetarja Rama-Hajrizi fillimisht i uroi ambasadorit Grøndahl suksese në detyrën e tij të re, për ta njoftuar më pas atë përkitazi me përbërjen, me rolin, si dhe me sfidat e përballura deri më tani në zhvillimin institucional të Gjykatës Kushtetuese.
Në vazhdim të takimit, ajo foli edhe rreth përpjekjeve të vazhdueshme që po bëhen për anëtarësimin e Gjykatës Kushtetuese në organizatat dhe forumet e ndryshme ndërkombëtare, si dhe për konsolidimin e vendimmarrjes profesionale të Gjykatës.
Ndër të tjera në njoftim thuhet se kryetarja Rama-Hajrizi shfrytëzoi rastin që të shpreh edhe falënderimin e saj për ambasadën e Norvegjisë në Kosovë, për mbështetjen e ofruar projektit që synon zbatimin më efektiv nga Gjykata Kushtetuese të standardeve evropiane në trajtimin e ankesave individuale dhe komunikimin me publikun, të iniciuar gjatë muajit mars në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë.
Ndërsa Ambasadori Grøndahl konfirmoi se, Norvegjia edhe më tutje do të vazhdojë të përkrah Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e Kosovës, duke e vlerësuar si parësore progresin e mëtejshëm në sundimin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut./Telegrafi/