Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj ka kërkuar nga Këshilli nacional që të hap dosjet për gjykimin si dhe dënimin me burg të disa shqiptarëve, 17 vite më parë në Mal të Zi.
Gjeloshaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se shqiptarët nuk do ta harrojnë këtë proces të montuar politik nga shteti i Malit të Zi.
“Kurrë Malësia nuk do ta harrojë torturën që është bërë më 9/9/2006! Kurrë nuk do të harrojmë vendimin antishqiptar për gjykimin e bashkëvendasve tanë me burg, pa asnjë argument!
Kurrë Shqiptarët nuk do ta harrojnë këtë proces të montuar politik nga shteti i Malit të Zi”, ka thënë Gjeloshaj.
Po ashtu ai ka ftuar Këshillin nacional për siguri që të hapë këtë dosje, për siç tha ai “e verteta të dali në dritë”.
“Ështe koha që të procesohen ata që montuan këtë proces! Është koha që në emer të shtetit të kërkohet falje për këtë proces të montuar, për ata që kishin vetëm një ‘faj’, se ishin shqiptar! Do të vijë dita për drejtësi”, ka shkruar Gjeloshaj në Facebook. /Telegrafi/