Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka ngushëlluar familjen Gërxhaliu e cila tragjikisht humbi birin e tyre Fatosin në një aksident me parashutë.
Në telegramin e ngushëllimit thuhet se vdekja e Fatosit është humbje jo vetëm për familjen por edhe gjithë qytetin e Vushtrrisë, transmeton Telegrafi.
“Me dhembje morëm lajmin që ka ndërruar jetë gjatë një aksidenti në fluturim në Prizren paragllajdisti Fatos Gërxhaliu. Fatosi e deshti lirinë që e ofron fluturimi, prandaj ai ishte sportist dhe djalë i respektuar në qytetin tonë. Vdekja e hershme e Fatosit është humbje jo vetëm e juaja si familje por edhe e gjithë qytetit të Vushtrrisë. Ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë, Ju familja e ngushtë dhe i gjithë komuniteti sportive”, thuhet në telegram.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se me datë 19.7.2020 rreth orës 13:45 ka ndodhur një aksident në fshatin Korish të komunës së Prizrenit në mes dy paragllajdve të cilët janë përplasur në mes veti gjatë kohës së aterrimit, ku si pasojë e lëndimeve të marra një 27-vjeçar ka humbur jetën./Telegrafi/