Kryetari i një qyteti italian ua ka ndaluar frizerëve dhe berberëve që mos t’u hedhin dy herë në kokë shampon klientëve – kjo pasi vendi po ballafaqohet me mungesë të madhe të ujit në kohën kur ky vend thuhet është goditur nga thatësira më e madhe në dy dekadat e fundit.
Carlo Gubelini, kryetar i Kastenaca në afërsi të Bolonjës në rajonin Emilia-Romana, ka thënë se mijëra litra uji shpenzohen çdo ditë si pasojë e larjes së dyfishte të flokëve me shampon, që shumë frizer e praktikojnë në këtë qytet italian, transmeton Telegrafi.
Besohet se ai është kryetari i vetëm i një qyteti italian që ka ndërmarrë një preventivë të tillë – që përfshin edhe dënimet deri në 500 euro për sallonet që shkelin këtë urdhëresë, derisa Italia po ballafaqohet me thatësirën intensive dhe valën e të nxehtit ekstrem. Kastenaca që i ka 16 mijë banorë, është shtëpia e 10 frizerëve dhe berberëve.
“Nëse kursejmë sasinë e ujit që e përdorin çdo ditë për klientët, por flasim për mijëra litra në ditë”, tha Gubelini për Corriere dela Sera.
“Kastenaca është vend i vogël: paramendojeni çfarë do të thotë në kuptimin e shpenzimit të ujit në qytetet e mëdha. Urdhrin e kemi dhënë të premten, për faktin se frizerët janë të mbyllur të shtunën dhe dielën, dhe të kenë kohë të mjaftueshme që të informohen”, shtoi ai.
Madje është shpërndarë manuali, ku thuhet se nga çezma rrjedhin 13 litra ujë në minutë dhe nevojiten të paktën 20 litra që flokët e dikujt të pastrohen dy herë.
Gubelini pretendon se rregullat e reja janë pritur mirë nga qytetarët, dhe do të jenë në fuqi deri në shtator.
“Informatat e para që i kemi nga terreni janë pozitive. Këto urdhra nuk kanë për qëllim të dëmtojnë dikë – por thjesht ta mbrojnë qytetarin”, shtoi ai. /Telegrafi/