Kryetari i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Zelko Komshiq, dënoi ashpër deklaratën e ambasadorit rus në Bosnje dhe Hercegovinë, Igor Kalabukhov, i cili paralajmëroi se Rusia do të reagonte nëse Bosnja bëhet anëtare e NATO-s.
Duke “kërcënuar Bosnjën dhe Hercegovinën”, theksoi Komshiq, ambasadori rus iu referua shembullit të Ukrainës, raporton N1.
“I dënoj fuqishëm kërcënimet që paraqiti ambasadori i Federatës Ruse në BH duke komentuar mundësinë që Bosnja dhe Hercegovina të bëhet anëtare e NATO-s. Mesazhi i ambasadorit rus se do të pasonte reagimi i Rusisë, ku ai përmend shembullin e Ukrainës kundër së cilës Rusia kreu agresion, është i paqartë, por në të njëjtën kohë është i papranueshëm për Bosnjën dhe Hercegovinën”, tha Komshiq.
Ai vuri në dukje se vendimi i Bosnjës për t’u anëtarësuar në NATO mund të jetë vetëm vendim i institucioneve të saj dhe jo shkak për sulm ndaj vendit.
“Ne jemi të vetëdijshëm për ndryshimin e qëndrimit të Federatës Ruse në lidhje me vendimet e institucioneve të Bosnje-Hercegovinës, të cilat Federata Ruse i ka respektuar më herët, dhe se kjo nuk ka ndodhur në vitet e fundit. Megjithatë, si kryetar i Presidencës së BH-së, jam i detyruar të dënoj dhe refuzoj kërcënimet, të cilat nuk janë vetëm kërcënime për Bosnjën dhe Hercegovinën, por edhe kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Komshiq.
Duke folur për transmetuesin publik në entitetin e Federatës së Bosnjës, FTV, Kalabukhov tha se vendimi i Bosnjës për t’u bërë një shtet anëtar i çdo aleance është çështje e brendshme e vendit, por se “përgjigja jonë është një çështje tjetër. Shembulli i Ukrainës tregon atë që ne presim”, tha ai. /Telegrafi/