Muaji i shenjtë i Ramazanit është në përfundim. E, besimtarët e fesë islame po përgatiten për festën e Fiter Bajramit. Por, pa shkuar tek dita e kësaj feste, muaji i Ramazanit karakterizohet edhe me disa gjëra të tjera. Dhënia e vitrave siç njihet në Islam, si dhe nata e Kadrit, natë kjo në të cilën thuhet se ka zbritur Kurani, libri i Allahut në fenë Islame.
Kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ajni Sinani, në një intervistë për Telegrafin, ka shpjeguar se ku duhet të dhurohen vitrat dhe kujt, cila është rëndësia e natës së Kadrit, si dhe mesazhi i festës së Fitër Bajramit
Sinani ka thënë se në muaji i Ramazanit veçohet nga muajt e tjerë, pasi që sipas tij në këtë muaj ka filluar shpallja e Kuranit.
“Zoti i gjithëfuqishëm gjatë muajit të Ramazanit na i ka dhënë dy dhurata, pra ka filluar shpallja e Kuranit, dhe kemi edhe dhuratën tjetër, ku Allahu i gjithëfuqishëm Muhamedin, e bëri pejgamber në muajin e bekuar të Ramazanit. Për shkak të madhështisë së zbritjes së Kuranit, Zoti këtë muaj e dalloi nga 11 muaj të tjerë. Po ashtu edhe natën në të cilën ka filluar zbritja e Kuranit, e cila është nata e Kadrit, Zoti, këtë natë e dalloi me netët e tjera. Pra madhështia e Kuranit, ka bërë që ky muaj të veçohet nga të tjerët, dhe kjo dritë e tij që na ndriçon zemrat neve myslimanëve, na ka bërë të jemi më të veçantë”, ka thënë ai.
Sinani ka thënë se nata e Kadrit nuk dihet saktësisht në cilat ditë bije. Ai ka thënë se kjo natë është më e vlefshme se sa 1 mijë muaj.
“Nata e Kadrit nuk dihet saktësisht në cilat ditë bie. Zoti i gjithëfuqishëm qëllimisht e ka bërë këtë. Edhe pse ka mendime që thonë se kjo natë lëviz. Ka mundësi që në këtë muaj të jetë nata e 27, ka mundësi në Ramazanin tjetër të jetë nata e 25 dhe kështu me radhë. Ajo që na bëhet e ditur përmes thënieve të Pejgamberit, është se zbritja e Kuranit ka ndodhur natën e Kadrit, dhe në këto thënie ai ka thënë kërkoni natën e Kadrit në 10 netët e fundit. Pastaj hadithet tjera thonë se kjo natë bie në netët tek të muajit të Ramazanit. Por, tek ne po ndodh që ata po e llogarisin numërimin e ditëve dhe netëve të Ramazanit nga fillimi i muajit të Ramazanit. Në fakt kështu nuk llogaritet, sepse nata e Kadrit duhet të llogaritet nga fundi se kur përfundon muaji i Ramazanit, dhe pastaj të fillojmë nga 30-ta apo 29 ditë”, ka theksuar ai duke shtuar se është e preferueshme që këto net të kalohen në ibadet .
Kryetari i Kuvendit të BIK-ut, Ajni Sinani gjatë intervistës për Telegrafin
“Pejgamberi i Zotit, Muhamedi a.s. të gjitha netët i kalonte në adhurim prej orës 00:00 të mesnatës deri në orën e syfyrit. Ai po ashtu kërkonte edhe nga familjarët e tij që të zgjoheshin dhe me pak mund të arrinin natën e Kadrit. Kjo natë ka vlerë më shumë se 1 mijë muaj, nëse e përkthejmë në vjet i bie 83 vjet e 4 muaj. Adhurimi që bëhet në këtë natë është shumë me vlerë”, ka shtuar ai.
Ndër të tjera, ai ka folur edhe për vitrat, që duhet dhënë në këtë muaj. Sinani ka thënë se sadekatul-fitrin e kanë për obligim ta dhënë të gjithë, duke shtuar se shuma që duhet dhënë nis nga 2 euro për person.
“Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësitë nëpër botë e kanë parë të arsyeshme që të bëhet një lloj klasifikimi i shumës se sa duhet të jepet sadekatul-fitri për ata njerëz që agjërojnë. Shuma duhet të niset prej 2 eurosh, pastaj mund të jetë 3, 4 e deri në 10 euro. Klasifikimi bëhet në bazë të familjes që agjëron e jo të personave që ne i japim. Sadekatul-fitrin e kemi për obligim ta japim të gjithë, sepse e kemi arritur atë shumën që është e mjaftueshme, dhe kjo nuk kërkohet gjatë gjithë vitit por vetëm për këtë muaj”, ka thënë ai.
Sinani ka përmendur kategoritë të cilave duhet dhuruar sadekatul-fitri.
“Janë tetë kategori që janë përmendur në Kuranin famëlartë, se kujt duhet dhënë vitri. Pra edhe sadakaja e zekati të cilin e kemi si obligim ta japim për shkak të pasurisë që zotërojmë, Allahu thotë se sadaka vitrat u jepen të varfërve, të ngratëve. Ata të cilët e mbledhin zekatin pra institucioni përgjegjës i cakton njerëzit që e mbledhin zekatin, ku nga ky zekat institucioni ka të drejt që një përqindje të caktuar t’ua jap personave të cilët kanë qenë të angazhuar. Pastaj kemi kategorinë e institucionit të robërisë dhe skllavërisë, që tani nuk ekziston. Por, zekati mund t’u jepet edhe atyre njerëzve që kanë qenë robër, kategoria e njerëzve që janë të zhytur në borxhe edhe atyre mund tu japim, pastaj njerëzve që luftojnë për atdheun e tyre, për lirinë e tyre. Po ashtu mund të jenë edhe nxënësit që studiojnë, që kërkojnë dije. Pra studenti, edhe nëse është i pasur mund t’i jepet zekati, pasi që ai kërkon dije”, ka thënë ai, duke bërë thirrje që sadaka vitri të shpërndahet në Bashkësinë Islame të Kosovës.
“Për faktin se Bashkësia Islame e ka edhe Medresen, që nuk ka shkollë të mesme në Kosovë sikurse kjo. Në Medresen e Prishtinës janë bërë mbi 1 mijë mbledhje gjatë kohës së okupimit serb në Kosovë . Pra të gjitha mbledhjet më të rëndësishme në kohën e pushtimit kanë qenë këtu. Përmes sadekatul-fitri që bëhet në Bashkësinë Islame, ne ato para ua japim studentëve në Medrese dhe në fakultet. Pra sadekatul-fitri u jepet të varfërve që në ditën e Bajramit të gëzojnë bashkë me ne”, ka thënë ai.
Kryetari i Kuvendit të BIK-ut, Ajni Sinani gjatë intervistës për Telegrafin
Ndërsa lidhur me festën e Fitër Bajramit, Sinani ka thënë se kjo festë duhet t’i gjejë të bashkaur të gjithë, duke vizituar njëri tjetrin.
“Dita e Bajramit është një ditë feste, dhe është festë popullore, kjo është gjë e mirë. Ne gjatë një muaji të tërë, kemi bërë sakrificë, kemi agjëruar, aktivitetet tona kanë qenë më të dendura edhe me faljen e namazit, kemi qenë më dorë lirë, ku secili prej nesh është munduar ta ndihmojë ndonjë të varfër në forma të ndryshme. Prandaj edhe Dita e Bajramit duhet të jetë ditë feste, ditë falenderimi për Allahun. Pra ne 30 ditë kemi hequr dorë nga një jetë jo bash e natyrshme, kemi hequr dorë nga pijet, ushqimi, që jashtë muajit të Ramazanit janë të lejuara. Për këtë në natën e Bajramit ne marrim shpërblimin nga Allahu i gjithëfuqishëm sa i përket sevapeve. Preferohet që në këtë ditë të bëhen sa më shumë vizita”, ka theksuar ai duke shtuar se në festën e Bajramit duhet të lihen anash inatet e hatër mbetjet dhe të ketë sa më shumë falje për njëri tjetrin.
“Brenda javës ne kemi namazin e xhumas, pra që falet me xhemat, nuk falet vetëm. Arsyeja është që ne të jemi sa më afër dhe ta njohim njëri tjetrin, dhe duke e njohur njëri tjetrin si besimtar ne pastaj jemi më afër njëri tjetrit kur ka halle dhe probleme. Po ashtu edhe namazi i Bajramit nuk falet vetëm, sepse të gjithë besimtarët e kanë për obligim ta falin. Pra nuk mund të jesh besimtar i mirë, e në ndërkohë të mos flas djali me nënën apo me babën, të mos kemi raporte të mirëfillta. Nuk e kemi kuptuar si duhet mesazhin e Bajramit nëse nuk i ruajmë lidhjet tona farefisnore. I bëjë thirrje të gjithë besimtarëve që të gjitha lëshimet, hatër mbetjet t’i falin. Sepse nëse ne i falim më këtë botë, Zoti na i fal në botën tjetër”, ka thënë ai./Telegrafi/