Site icon Telegrafi

Kryetari Ivanov për vizitë në kufirin jugor

Kryetari i Republikës së Maqedonisë, i cili është edhe komandant suprem i forcave të armatosura, sot vizitoi kufirin jugor të Maqedonisë.

Gjatë vizitës të pjesëtarëve të ARM-së në Kullën e rojës në “Bogorodicë”, kryetari Ivanov u informua se gjatë tre muajve të fundit janë ndaluar rreth 3.300 kalime ilegale që vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ivanov gjithashtu vizitoi qendrën e përkohshme të transitit në Gjevgjeli, ku u informua për punën e organizatave humanitare dhe gjithashtu foli me emigrantët që qëndronin në qendrën e transitit dhe u informua për kushtet dhe trajtimin që ata i marrin gjatë qëndrimit të tyre në këtë qendër. Kryetari Ivanov u takua edhe me pjesëtarët e policisë të shteteve të huaja, të cilët në mbështetje të forcave të sigurisë të Maqedonisë janë vendosur në kontrollin e terrenit në kufirin jugor.

Gjatë vizitës në kufirin jugor, kryetari i Maqedonisë gjithashtu vizitoi dhe objektin për strehim të pjesëtarëve të ARM-së në Bogdanci dhe Kullës së Rojës në Dojran. Ai u informua për gjendjet momentale, sfidat dhe mënyrën e angazhimit të pjesëtarëve, në lidhje me menaxhimin e përpjekjeve të kalimeve ilegale në atë pjesë të kufirit jugor, si dhe për kushtet për strehim dhe punën e pjesëtarëve të ARM-së./Telegrafi/

Exit mobile version