Në arkivin e lagjes Pankov, në Berlin, ndodhen dokumente për jetën e aventurierit gjerman, Otto Witte. Pjesë të arkivit janë faqet e gazetave të viteve ’40 dhe ’50 të shekullit të kaluar, që shkruanin për të bëmat e tij. Në njërën nga to tregohet se si më 1952, kur Princ Rainier i Monakos martohej me aktoren Grace Kelly, Witte i dërgon një letër proteste Oborrit Mbretëror, se pse – si ish-mbret që është – nuk e kanë ftuar në dasmë.
Drejt Shqipërisë…
Otto Witte ka lindur më 1871, në Pankov, lagje e Berlinit. Në moshën katërvjeçare i bashkëngjitet një
grupi cirku. 28 vjet më vonë përjeton aventurën më të madhe të jetës së tij.
Në vitin 1913 Shqipëria shkëputej përfundimisht nga Turqia. Fuqitë e Mëdha akoma nuk e kishin caktuar mbretin e shtetit të ri, ndonëse kishte kohë që përflitej për princin turk, Halim Eddine.
Në këtë kohë Ottos i lind një ide e çuditshme: të bëhet mbret i Shqipërisë!
I dërgon dy telegrame me emër të princit, përmes të cilave njofton ardhjen e tij në Shqipëri. Ndërkohë, merr me qira një uniformë në Vjenë dhe më 8 gusht 1913 arrin në portin e Durrësit, i shoqëruar nga miku që i shërbente si adjutant.
Lajmi u përhap nga korrespondentët perëndimorë në gjithë botën. Sulltani u çudit tej mase, sepse ishte në dijeni që nipi pushonte në Vjenë. Nga ana tjetër, ai dukej i kënaqur, sepse princi – duke marrë kurorën e mbretit – i vuri të gjithë kundërshtarët pretendentë përpara faktit të kryer. Ndërkohë, Eddine njoftonte nga Vjena se ishte i habitur për lajmet që vinin nga Shqipëria.
Kështu, monarku i rremë – një ditë pasi i shpalli luftë Malit të Zi – detyrohet ta braktisë “Mbretërinë” e
tij (vajzat e haremit thuhet se e kanë ndihmuar të arratiset me varkë drejtë Barit).
Por, cili ishte versioni i rrëfyer nga Otto?
“Në Kostandinopojë, ‘në polin e qetë të asaj që dukej si arratisje’ e jetës sime, takova një mik të vjetër, Vezirin e Madh”, nis rrëfimi i njërit prej aventurierëve më të mëdhenj të shekullit XX.
“Lartmadhëria tij më këshilloi të hyja në ushtrinë turke; më përshkroi karrierën që mund të bëja, sepse gjermanët kërkoheshin shumë nga Ushtria osmane. Unë bëra llogaritë e mia dhe në fund vendosa: kthimi në shtëpi me xhepat bosh nuk bënte pjesë në shijen time. Në fund të fundit, unë nuk do martohesha për tërë jetën me Ushtrinë turke, kështu që mund të largohesha kur të doja. Tekefundit, nuk kisha çfarë të humbisja. Kështu, me emër tjetër – me dokumentet e blera në Marok – u futa në Ushtrinë turke. Dhe vërtet, pas disa muajsh – unë, vagabondi Otto Witte – arrita që me rrugë krejt legale të bëhesha oficer i Ushtrisë së Padishahut.
Atëherë filloi e ashtuquajtura Luftë e Ballkanit. Në Adrianopol, Shukri Pasha mbrohej kundër bullgarëve dhe në Shkodër Esad Pasha u sulmua nga Mbreti Nikolla. Esad Pasha luftonte si luan dhe refuzonte të njihte armëpushimin. Një herë atë e deklaruan gabimisht si të vdekur.
Që më 1912, një Asamble Kombëtare e kish deklaruar Shqipërinë të pavarur nga Turqia dhe kish zgjedhur një qeveri kalimtare në krye me Qemal Beun. Si kandidat për kurorën shqiptare u emëruan – pavarësisht nga njëri-tjetri – një princ Bonaparta, Hercogu i Montpelierit dhe princi Wilhelm i Suedisë. Ky është momenti që shfrytëzova për vete. Dërgova telegrame tek Esad Pasha, një nga Sulltani dhe një nga komandanti i Ushtrisë: ‘Princi Halim Eddine vjen dhe merr komandën mbi gjithë trupat që ndodhen në Shqipëri’, shkruhej në telegram.
Unë shkova me miqtë e mi në Rumani, Hungari dhe përfundova në Vjenë për t`u ‘armatosur’ si duhej. Tek një njeri që jepte rroba me qira, gjeta uniformën e një lartmadhërie turke. Për shoqëruesin tim u gjet një uniformë kapiteni dhe një varg medaljesh.
Mbreti i dikurshëm
Të gjitha u paketuan dhe bashkë me to ne udhëtuam për në Rjekë, prej ku morëm një anije austriake, e cila na dërgoi në portin e Durrësit. Në Kavajë takuam trupat turke. Erdhi momenti i duhur të vishnim uniformat dhe të shfaqeshim si Princ Halim Eddine dhe adjutanti i tij. Pas ferrave u futëm si vagabondë dhe dolëm si njerëz me dinjitet të lartë.
Në uniformën me zbukurime ari, të mbushur me medalje, unë u shfaqa si princi turk. I nderuar nga rojet – siç e kërkonte rregulli – u përshëndeta me respekt edhe nga oficerët. Në dispozicion m’u vu një çadër komforte, rojet, shërbëtorët dhe një kuzhinier. Asgjë nuk mungonte nga ajo që mendohej se i takonte një princi dhe komandanti ushtrie. Me formalitetet e duhura, unë, princi Halim Eddine, mora komandën mbi trupat që luftonin në Shqipëri.
Ato që ndodhën ato ditë, atë shkëlqim, nuk mund ta imagjinojë asnjë njeri i varfër. Zëri m’u ngjir nga dhënia e urdhrave. Sepse, unë nuk mund t’u thosha njerëzve: ‘Tani do të doja të uleshim të pinim një kafe’. Ata do të dyshonin menjëherë dhe do të thoshin: ‘Ky është princ i çuditshëm’.
Unë vizitoja gjashtë herë në ditë frontet. Shkurt, isha princi i duhur, princ që kërkohej. Por, unë nuk e kisha arritur ende kulmin e karrierës sime. Historia do bëhej më e madhe. Para meje hapeshin perspektivat botërore…”!
Në vitin 1939, Witte vendos t’i botojë kujtimet në një libër. “Otto Witte – 5 ditë mbret i Shqipërisë”, botohet më 1939. Libri nuk është shkruar nga Witte, sepse ai ishte analfabet (të paktën kështu thoshte mjeku që e ka vizituar në momentet e fundit të jetës së tij).
Sidoqoftë, në letërnjoftimin e tij ai kishte arritur të shkruante: “Ehemaliger König von Albanien” (mbreti i dikurshëm i Shqipërisë). Vendimi gjyqësor për këtë shtesë, në letërnjoftim,
nuk mund të ishte “Ex-König” (ish-mbret). Të tillë mund të quheshin vetëm ata që kanë qenë me të vërtetë mbretër, ndërsa Witte në Shqipëri njihej si Halim Eddine.
Po ashtu, në varrin e tij, në varrezat e Hamburgut, nën portretin e aventurierit Otto Witte, shkruan: “Ehemaliger König von Albanien” (ish-mbret Shqipërisë). /Telegrafi/
“Time Magazine”, 25 gusht 1958: Njeriu që ishte mbret
Në lagjen e ashpër dhe pashije të Hamburgut, të njohur si Sankt Pauli, aty ku për gjithçka ka vend, një nga atraksionet më të qeta – por të mira – ishte mustaqoku i thinjur Otto Witte, cirkusanti i përjetshëm, i cili e bëri paraqitjen e parë si zbutës luani, që në moshën tetëvjeçare.
Tërë çka Otto mund të ofronte ishin tregimet. Dhe, nuk ka njeri që mund të ikte nga rrëfimet për aftësitë e tij të magjistarit, që i siguruan postin e prijësit të një fisi të shkurtabiqëve afrikanë, apo për kohën kur ai tentonte ta grabiste vajzën e perandorit të Etiopisë.
Herët ose vonë, monologët e Ottos kthehen në sulmin më të madh të karrierës së tij – ditët e mbretërisë. Në fillim të vitit 1913, në ditët e turbullta të Luftërave Ballkanike, ai udhëtonte nëpër Ballkan me një cirk të vogël, si magjistar dhe gëlltitës i shpatave. Shqipëria posa ka shpallur pavarësinë nga Perandoria Osmane. Derisa Fuqitë e Mëdha shushuritnin për princin evropian, që do të udhëhiqte shtetin e ri, disa shqiptarë myslimanë u përcaktuan për princin Halim Eddine, kushëririn e Sulltanit turk.
Një nga interpretuesit e cirkut vërejti se Otto Witte i përngjanë Halim Eddines dhe – aty dhe atëherë – e tërë skema e bukur gufoi në mendjen e Ottos. Menjëherë, një mori telegramesh – gjoja me origjinë nga Stambolli – mësynë Esad Pashën, komandantin shqiptar të forcave turke në rajonin e Durrësit.
Një telegram është nënshkruar “Sulltan” dhe tjetri “Komanda e Lartë”, por që të dyja kishin lajmin e njëjtë: “Princi Halim Eddine arrin në Shqipëri dhe do të marrë komandën e trupave të vendosura atje”.
Pesë ditë më vonë, Otto Wite zbarkon në Durrës, duke shkëlqyer nga rrobat e hirshme dhe medaljet. Tërë popullata e qytetit brohoriti për të. Me mirësjellje, i përshëndeti përkrahësit e tij, e pastaj e urdhëroj Esad Pashën të grumbulloj forcat për fushatën e “pushtimit të Beogradit”. Kjo, thoshte më vonë Otto duke qeshur, i kënaqi ushtarakët lokalë sa që ata menjëherë shprehën dëshirën për ta shpallur Mbret të Shqipërisë. Me gjakftohtësi, ai u pajtua të ngjitej në fron.
Për pesë ditë gjithçka kaloi mirë. Me qëndrim mbretëror, Mbreti Otto pranoi lojalitetin e trupave dhe “25 femrave të haremit”. Për ta konsoliduar pushtetin e tij, urdhëroi amnistinë e të gjithë të burgosurve shqiptarë, e të njëjtën kohë shpërndau shpërblime të mëdha në arë për prijësit lokalë (një ish-konsull i huaj në Shqipëri thotë se asnjë interpretues cirku nuk ka pasur atë sasi të parave për të shpenzuar, i bindur se Otto ka vepruar si agjent i Qeverisë austro-hungareze). Pastaj, telegramet e vërteta vërshojnë nga Stambolli.
“Është turp”, u thoshte Otto adhuruesve të tij. “Do ta instaloja një qeveri të mirë dhe të zgjuar”. Por, për të “shmangur gjakderdhjen e panevojshme” (të tij), Otto iku qetas nga qyteti.
I dehur nga shija e lavdisë së tij, Witte kthehet në Gjermani dhe pas Luftës së Parë Botërore formon “Partinë e Artizanëve, Kafexhinjve dhe Cirkusantëve”. /Telegrafi/
Ai vetë u bë kandidati i saj për kryetar të Gjermanisë, por u tërhoq nga gara, “për t’i dhënë shanse feldmareshalit von Hindenburg”.
Gjithë të dyshimtëve që mblidheshin gjatë ditës në shtëpinë e tij në Sankt Paul, Otto Witte u ofron letërnjoftimin e lëshuar nga Policia e Berlinit, ku thuhet se zotëruesi i saj ishte “zbavitës cirku”, dhe “mbret i dikurshëm i Shqipërisë”. Ai madje ka refuzuar të pranojë çfarëdo letre që nuk është adresuar si duhet: “Për: Otto I, ish-mbretin e Shqipërisë”.
Javën e kaluar, Otto Witte (87), dikur mbret, vdiq nga ceroza në mëlçi, në shtëpinë e pleqve në Hamburg. /Telegrafi/