Kryetari i Gjilanit, Alba Hyseni ka reaguar për incidentin që ndodhi në ndeshjen e klubit me Ballkanin në kuadër të javës së 27-të në BKT Superligën e Kosovës.
Ishte duke u zhvilluar minuta e fundit e takimit, kur Enea Koliçi shënoi me kokë, për t’i barazuar shifrat 1-1.
Nga festa e tepruar, tifozët u futën në fushë dhe sulmuan portrierin e klubit nga Theranda, Stivi Frashëri.
Në lidhje me incidentin, kreu i komunës së Gjilanit, Hyseni ka shprehur keqardhje dhe i ka uruar gardianit të Ballkanit shërim të shpejtë:
Në Gjilan po zhvillohej sot njëra prej ndeshjeve më të mira të sezonit në futbollin tonë. Gjilani përballë Ballkanit të Suharekës në ndeshjen përcaktuese për titull. Gjithçka shkoi për së mbari deri në momentin kur filloi përleshja ne fushë, për më keq u sulmua edhe portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri.
Shpreh keqardhjen time për këtë që ndodhi sot në Gjilan dhe Frashërit i uroj shërim të shpejtë.
Skena të tilla nuk duhet të shohim askund, aq më tepër në sport. /Telegrafi/