Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka reaguar lidhur me përleshjen me armë që ndodhi mbrëmë në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku për pasojë mbeti një person i vdekur dhe dhjetëra të tjerë të lënduar.
Kllokoqi fillimisht i ka shprehur ngushëllime familjes së 39-vjeçarit që humbi jetën në këtë ngjarje, ndërsa ka thënë se jeta është e shenjtë dhe kurrkush s’ka të drejtë ta marrë atë.
Ai tutje ka apeluar te gjykatat që njerëzit me vepra penale t’i dënojë me burg, ndërsa policisë i ka bërë thirrje “sa më parë me i ç’armatos ‘terminatorët’ që po e terrorizojnë krejt shoqërinë”.
“Apeli jonë është që gjykatat, për çka edhe paguhen, me taksa të krejt neve bashkë si shoqëri, me ushtru detyrën për çka janë të thirrur, ata vetë me zbatu ligjin, njerëzit me vepra penale me i çu në burg, policia me kriju raporte bashkëpunuese me gastronomët, me kriju mundësinë me kalu sigurimi tek njësitet sekondare të policisë, edhe kryesorja: ligji për armëmbajtje me qenë prioritet, sa më parë me i ç’armatos ‘terminatorët’ që po e terrorizojnë krejt shoqërinë, në qendër të kryeqytetit, 200 metra larg stacionit kryesor të policisë në Kosovë”, ka shkruar Kllokoqi në Facebook.
Sipas tij, nuk është hera e parë që gastronomia luan rolin e fushë betejës të shumë problematikëve.
“Jemi vetë ne gastronomët që jemi kujdestarë, doktorë, psikologë, policë e gjithçka tjetër për njerëzit që kanë probleme, ose që qërojnë hesape në bizneset tona (bizneset që ushqejmë veten dhe familjet prej tyre). Problemet që i kemi prej pasluftë në Prishtinë (sidomos) kanë qenë se cili mangup ose ‘komandant’ po bën probleme më shumë edhe ku?!”
“Me ‘komandanta’ u rehatuam më në fund, se bonën pare, mangupat na mbetën në qafë edhe kësaj dite. Njerëz me nga 10 vepra penale enden të lirë në kryeqytet edhe gjithmonë ndër gastronomë dëgjohet llafi që ‘kur sun i ka bo kurrgjë shteti çka kom me i bo UNE?’. Zgjidhje absolute për ketë mentalitet nuk ka, minimizim të rasteve besojmë fuqishëm se po. Prishtinë edhe një herë ta thyem zemrën, ta prishëm rendin e qetësinë me sjellje primitive, të vnumë shaminë e zezë. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjarëve të të vrarit dhe të plagosurve”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/