Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka folur në prag të ndeshjes Spanjë – Kosovë për të përditshmen sportive katalane, “Lesportiu”.
Përfaqësuesja e Kosovës luan sot (e mërkurë) në udhëtim te Kombëtarja e Spanjës në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës.
Dardanët kanë udhëtuar tashmë dhe janë gati për ndeshjen e dytë kualifikuese të vlefshme për Grupin B, ndeshje e cila pritet të zhvillohet nga ora 20:45 në Estadio La Cartuja.
“Çfarë do të thotë për Kosovën të luftojë për kualifikim në Botëror? Është sfidë për t’ia dëshmuar vetes se mund të garojmë kundër pjesës tjetër të planetit dhe se futbolli ynë mund të përparojë tani me një ekip të ri. Kjo është shumë e rëndësishme për ne si institucion, por edhe për të gjithë njerëzit tanë”, ka thënë Ademi.
Tutje ai është pyetur për atë që Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet.
“Si një federatë futbolli ne nuk mund të përfshihemi në politikë, ne e kemi njohjen e FIFA-s dhe UEFA-s dhe thjesht duam të mendojmë për të luajtur futboll. Ne nuk presim ndonjë problem përtej kësaj, ekziston një protokoll i qartë i ndeshjeve ndërkombëtare. E vërteta është se ne nuk i kushtojmë shumë vëmendje asaj që është përtej futbollit”, ka shtuar Ademi.
Tutje gazetari katallan ka pyetur presidentin Ademi nëse mendon se situata në Katalonjë, ku një pjesë e madhe e popullsisë do të dëshironte të ishte e pavarur, mund të ndikojë në pozicionin e Spanjës për Kosovën?
“E ritheksoj se nuk është detyra jonë të flasim për politikë, e lëre më për çështje që prekin vendet e tjera. Ne nuk jemi një parti politike dhe qëllimi ynë i vetëm tani duhet të jetë promovimi i futbollit tonë”.
Më tej Ademi ka folur për vështirësitë që e kanë përcjellë futbollin tonë që nga viti 2016, kur u pranua në UEFA e FIFA.
“Ka qenë një proces i vështirë dhe nganjëherë kundër kohës, sepse mbaj mend që pak orë para ndeshjes sonë të parë kualifikuese kundër Finlandës ne ende prisnim për të parë nëse disa futbollistë do të na përfaqësonin apo jo. Ka shumë nga futbollistët tanë që kanë lindur dhe janë rritur në vende të tjera evropiane dhe ne e patëm një detyrë të vështirë për t’i rekrutuar, për t’ia shpjeguar atyre projektin tonë të futbollit dhe për t’i bërë ata që të dëshironin të përfaqësonin vendin tonë. Në përgjithësi, ekipet kombëtare gjenerojnë një ndjenjë të madhe krenarie dhe kemi shumë njerëz që u detyruan të shkojnë jashtë vendit, të rriten në vende të tjera për më shumë se dy dekada. Ka shumë njerëz që kanë luftuar dhe këta futbollistë po përmbushin jo vetëm ëndrrat e tyre, por edhe ato të prindërve dhe të afërmve të tyre. Sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti janë shumë të rëndësishëm për Kosovën”, ka nënvizuar presidenti Ademi.
Në fund, ai ka folur edhe për talentet dhe synimet e FFK-së.
“Ne kemi një strategji shumë të rëndësishme në lidhje me zhvillimin e futbollistëve, kemi punuar me shkolla dhe klube futbolli për një kohë të gjatë dhe përpiqemi të trajnojmë futbollistë dhe kjo në një të ardhme të afërt mund të ketë ndikim, jo vetëm në ekipin tonë kombëtar, por gjithashtu edhe në ligat më të mëdha, të tilla si La Liga. Duhet theksuar se në ekip kemi lojtarë që janë rritur jashtë vendit, por edhe të tjerë si Milot Rashica (Ëerder Bremen) dhe Vedat Muriqi (Lazio), të cilët kanë lindur dhe zhvilluar në Kosovë dhe mund të jenë frymëzim për të rinjtë tanë, të cilët mund ta shohin se ky rrugëtim është i arritshëm.