Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi bashkë me sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu kanë takuar sot (e mërkurë) ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Gjatë këtij takimi krerët e FFK-së e njoftuan ministrin për situatën shëndetësore dhe nevojën për të filluar me stërvitje të gjitha kategoritë e futbollit, nga shkollat e futbollit e deri te klubet e të gjitha ligave dhe rangjeve, përfshirë edhe futbollin e femrave dhe futsallin.
Drejtuesit e FFK-së theksuan se është shumë e nevojshme që të fillojnë sa më parë stërvitjet përgatitore për kampionatin e ri, ngase garat planifikohet të fillojnë më 12 shtator, kurse ka mbetur shumë pak kohë për ekipet. Në fakt, janë vetëm 5 javë para fillimit të kampionatit, që është kohë jo e mjaftueshme për fazën përgatitore.
Gjatë këtij takimi me theks të veçantë u diskutua për shkollat e futbollit dhe nevojën për të stërvitur që të mos stagnohet me zhvillimin e kategorive të reja.
FFK zotohet që do ta respektojë protokollin strikt për shëndetin e futbollistëve – shëndeti para të gjithave.
Në anën tjetër, ministri Zemaj tha se që nesër do ta mbledhë Këshillin për parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe do t’i konsultojë ata për të dhënë një vendim të shpejtë dhe të arsyeshëm, duke pasur parasysh rëndësinë e stërvitjeve, që futbollistët t’i mbajmë në formë.