Site icon Telegrafi

Kryetari Elezaj inspekton punimet për përmirësimin e kushteve të jetesës në ndërtesat sociale në Klinë

Foto: Komuna e Klinës

Projekti për përmirësimin e kushteve të jetesës në ndërtesat banesore sociale në Komunën e Klinës është në vijim.

Punimet po realizohen nga kompania e angazhuar, e cila po punon me përkushtim për të siguruar cilësi dhe për të përfunduar projektin brenda afateve.

Kryetari i Klinës,  Zenun Elezaj, përmes Facebookut e ka bërë të ditur se po realizohet një projekt i rëndësishëm që synon përmirësimin e jetesës në ndërtesat banesor.

“Sot, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjente, Qëndrim Millaku, kemi parë nga afër realizimin e punimeve në kuadër të projektit të përmirësimit të kushteve të jetesës, projekt i cili po realizohet me synim përmirësimin e kushteve të jetesës, kursimin e energjisë dhe ndikimin pozitiv në mjedis”, ka shkruar Elezaj.

Masat që po zbatohen përfshijnë ndërrimin e dritareve dhe dyerve, izolimin termik të fasadës dhe kulmit, instalimin e sistemeve moderne të ngrohjes dhe ftohjes, si dhe punime të tjera që synojnë përmirësimin e jetesës për banorët e këtyre ndërtesave. Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të kushteve më të mira për qytetarët dhe ruajtjes së mjedisit. /Telegrafi/

Exit mobile version