Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letra urimi nga kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Austrisë dhe nga Kryetari i Parlamentit të Suedisë, me rastin e zgjedhjes së saj në krye të Kuvendit.
Në letrën e tij dërguar kryetares Osmani, Wolfgang Sobotoka ka potencuar rolin mbështetës të Austrisë në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai ka theksuar se ndër vite është ndërtuar një bazë shumë e mirë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe këto marrëdhënie duhet fuqizuar edhe më tej.
Ndërkaq kryetari i Parlamentit të Suedisë, Andreas Norlén, e ka vlerësuar lart bashkëpunimin e Suedisë me Kosovën në të gjitha fushat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Ai i ka bërë ftesë kryetares së Kuvendit për një vizitë zyrtare në Parlamentin e Suedisë, në një kohë të afërt. /Telegrafi/