Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Mike Johnson, në një adresim për media ka folur lidhur me planin e tij për të miratuar një pako ndihme për Ukrainën dhe Izraelin.
Ai ka thënë se kjo paraqet një pako esenciale për ta ndaluar presidentin rus ta zgjerojë luftën edhe në Ballkan.
“Është kohë kritike për botën dhe po bëj atë që besoj se është gjëja e duhur. Mendoj se ofrimi i ndihmës për Ukrainën tani është jashtëzakonisht e rëndësishme… Mendoj se Vladimir Putini do të vazhdojë të marshojë përmes Evropës nëse lejohet, mendoj se mund të shkojë në Ballkan më pas”, ka thënë ai.
“Mund të provokojë edhe në Poloni, në njërin nga aleatët tanë të NATO-s…”, tha ai.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve më tej tha se “nuk mund të luajmë me politikë në këtë, por të bëjmë gjënë e duhur”.
Ndryshe, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara do të votojë për ndihmën për Ukrainën, Izraelin dhe Indo-Paqësorin të shtunën, më 20 prill, tha kryetari i Dhomës, republikani Mike Johnson.
Një komitet i Dhomës bëri publike legjislacionin që parasheh ndihmë të sigurisë në vlerë prej më shumë se 95 miliardë dollarësh, përfshirë 60.84 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022.
Në projektligjin për Izraelin përfshihen 26.38 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin, shumë që do të mbulojë edhe kostot e operacioneve ushtarake amerikane që u kryen në përgjigje të sulmeve të fundit. Ndërkaq, 9.1 miliardë dollarë janë dedikuar për ndihmë humanitare, edhe pse në legjislacion thuhet se asnjë ndihmë financiare nuk do të shkojë për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA), njofton Rel.
Projektligji parasheh një ndihmë prej 8.12 miliardë dollarësh për Indo-Paqësorin. /Telegrafi/
Speaker Johnson: “I’m doing here what I believe to be the right thing. I think providing lethal aid to Ukraine right now is critically important…We can’t play politics with this. We have to do the right thing.”pic.twitter.com/rzh1JK1gXe
— Republicans for Ukraine (@GOP4Ukraine) April 18, 2024