Site icon Telegrafi

Ish-kryetari i Deçanit: Transferimi i tokës te Manastiri, vendim i padrejtë dhe politik

Ish-kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, ka deklaruar se vendimi për transferimin e tokës te Manastiri është i padrejtë dhe politik.

Ai ka akuzuar ambasadat në Kosovë për procesin e transferimit të tokës te Manastiri, duke e quajtur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të padrejtë dhe politik.

Në një deklaratë për “Debat Plus”, Selmanaj ka theksuar se në një takim me ish-ambasadoren amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, kishte shprehur kundërshtimin ndaj vendimit dhe ka thënë se komuna nuk do ta zbatojë kurrë atë.

Ai, gjithashtu, ka shtuar se komuna ka kryer ankesa në kohë dhe ka organizuar protesta kundër këtij procesi, të cilin e vlerëson si të imponuar nga ambasadat.

Lexo po ashtu Kushtëzimi me pronat e Manastirit të Deçanit, Tomë Gashi: Albin Kurtit ia lanë “pataten e nxehtë” në dorë

“Gjitha ankesat i kemi bërë me kohë, ky proces vazhdon të jetë politik. Ambasadorja amerikane Jacobson në një takim në zyre kur unë e kam kundërshtuar këtë vendim, ajo më ka thënë nëse ju nuk e kryeni, Gjykata Kushtetuese ka me marrë vendim, edhe unë i kam thënë gjykata le ta marrë vendimin, por komuna nuk do ta zbatojë kurrë këtë vendim, sepse është i padrejtë dhe politik. Komuna e ka bërë me kohë ankesën, thjesht ky vendim është i imponuar prej ambasadave nuk ke çfarë e komenton më shumë, si kryetar komune e kam kundërshtuar, kemi organizuar protesta”, ka deklaruar Selmanaj.

Ndryshe, qeveria pret që vetëqeverisja lokale në Deçan ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.

Komuna e Deçanit dhe drejtoritë përkatëse, përfshirë Kadastrën, pretendojnë se kjo sipërfaqe u takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë Manastirit të Deçanit. /Telegrafi/

Exit mobile version