Me organizim të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane dhe ftesë të kryetarit të këtij Unioni, Nazmi Viqa, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Zhvillimit Ekonomik, Zekir Bytyqi, tash e dy ditë po merr pjesë në Kongresin Ekonomik të Bizneseve shqiptaro-gjermane në Frankfurt të Gjermanisë.
Në sesionet e këtij organizimi të gjerë biznesor, i pari i Ferizajt theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka mërgata për ekonominë e vendit, duke i ftuar këta të fundit të rrisin investimet në Ferizaj dhe gjithë vendin, gjë që do të ndikonte në mirëqenien ekonomike të qindra familjeve.
Në kongres u diskutua edhe për partneritetin publiko-privat dhe rolin e komunave në këtë proces, që do të nxiste investimet e huaja në vend dhe ndërveprimin e institucioneve të shtetit me biznesin privat.
Po ashtu, u prezantua edhe puna e kompanive me kapital vendor në Gjermani, eksportuesit më të mëdhenj vendor, e me theks të veçantë biznese ferizajase që produktet e tyre zënë vend në tregun gjerman. /KP/