Site icon Telegrafi

Kryetarët e veriut refuzojnë miratimin e buxheteve

Kryetarët e komunave veriore vazhdojnë të refuzojnë miratimin e buxheteve komunale, konform qarkores buxhetore të qeverisë, të aprovuar në Kuvend. Derisa afati për miratim është deri më 28 shkurt, komunat veriore po kërkojnë që edhe për buxhetin të bisedohet në Bruksel. Kjo po thuhet se është e pa pranueshme për ekzekutivin e vendit.
Komunat veriore po këmbëngulin që për buxhetin tyre duhet të bisedohet në Bruksel. Në këtë mënyrë dy ditë para skadimit të afatit ligjor ato vazhdojnë të shpërfillin kërkesën e Ministrisë së Financave dhe asaj të Pushtetit Lokal për të miratuar buxhetet komunale, konform qarkores buxhetore të aprovuar nga Parlamenti..

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq ka thënë se aktualisht asambleja e kësaj komune nuk dëshiron të ndryshoj buxhetin. “Unë nuk e di pse nevojiten asamblistët ,dhe si puna e Kuvendit mund të jetë e pavarur kur këtu përzihet qeveria qendrore. Nuk e kuptoj se si po mendojnë ata të decentralizojnë pushtetin kur ndërhyjnë në punën e katër komunave veriore”, i ka thënë Rakiq, Radio Kosovës.

Ndërsa, kryetari i Leposaviqit Dragan Jablanovic, ka thënë se pas datës 1 mars gjithçka do të mbetet konfuze deri në një zgjidhje tjetër.

Megjithatë qeveria, sipas zëvendësministrit të Pushtetit Lokal, Bajram Geci ende pret që komunat veriore të aprovojnë këtë buxhet. “Ne jemi në negociata me komunat veriore rreth buxhetit. Presim që ato të miratojnë buxhetet konform qarkores së Ministrisë së Financave. Nuk ka asnjë indikacion që kjo çështje të diskutohet në Bruksel sepse edhe nuk ka kohë. Kjo nuk ka të bëjë me Asociacionin e Komunave serbe për të cilin po bisedohet. Nëse buxhete nuk do të miratohen sipas afatit do të pasojnë veprimet”, i ka thënë Gecaj, Radio Kosovës.

Komunat veriore po këmbëngulin për buxhetin që kanë miratuar, i cili është për 59 milionë e 29 mijë euro më i lartë se që i është aprovuar nga Ministria e Financave.

Buxheti i përgjithshëm i miratuar në shtator nga kuvendet e tyre komunale është në total 67.5 milionë euro. Ndërsa buxheti që u aprovuar atyre së bashku, sipas qarkores buxhetore të qeverisë është vetëm 8.470.813 euro .

Mitrovica Veriore ka kërkuar 20 milionë euro dhe i janë aprovuar nga qeveria 2.736.782 euro, Zveçani ka miratuar buxhet 14.500.000 euro, kurse qeveria i ka ndarë 1.612.130 euro, Zubin Potoku ka aprovuar 21.500.000 euro dhe i janë dhënë 1.861.975. Ndërsa Leposaviqi ka miratuar një buxhet prej 11.500.000 euro dhe i ka të aprovuara vetëm 2.259.926 euro. /Telegrafi/

Exit mobile version