Site icon Telegrafi

Kryesuesi i KPK-së takohet me Osmanin, diskutojnë për gjendjen e sigurisë në vend

Kryesuesi i Këshillit Porkurorial të Kosovës, Jetish Maloku, është pritur sot në takim nga u.d e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

U.d presidentes Osmani fillimisht e ka përgëzuar kryesuesin Maloku për pozitën e re të Kryesuesit të Këshillit, duke i uruar fat e sukses në detyrën që ka marrë.

“Gjatë këtij takimi, u.d. presidentes Osmani dhe kryesuesi Maloku kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë në vend, sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial dhe për proceset e emërimeve, riemërimeve dhe dekretimeve të prokurorëve të rinj, duke u dakorduar që këto procese të zhvillohen me integritet të lartë”, thuhet në njoftimin e bërë nga KPK.

Ndërkaq, kryesuesi Maloku, ka njoftuar u.d. presidentes Osmani, se prioritet i tij është ngritja e besueshmërisë së publikut në sistemin prokurorial, reduktimi i lëndëve të vjetra, rritja e numrit të prokurorëve, përmirësimi i infrastrukturës, plotësimi i kornizës ligjore për të gjitha proceset e punës, vlerësimi i rregullt i performancës dhe rastet disiplinore të proceduara me kohë.

Gjithashtu, kryesuesi Maloku, ka potencuar se synim i tij është vazhdimi i bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së objektivave të sistemit prokurorial.

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë e ndërsjellë për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim të konsolidimit të institucioneve dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version