Site icon Telegrafi

Kryesorja në art, artistikja

Millosh Gjergj Nikolla

Nga: Migjeni[1][2]

Me interes i lexova të gjithë artikujt tuaj mbi artin. M’u dukën shumë të nevojshëm, të rëndësishëm dhe shumë bashkëkohës, veça­nërisht orientimi ideor.

Na ka mbetur t’i bashkojmë mundësitë e paorientuara të artit të madh?

Ndoshta qëndron puna në atë, se në çfarë zhanri dhe simbas çfarë recetash të shkruhet? Mendoj, se kryesorja në gjithë artin është artistikja, që me talent dhe me të drejtë të pakompromis të zbulojmë esencën shoqërore, morale e psikologjike të jetës intime, të njerëzve dhe të marrëdhënieve të tyre, që artin do ta pasuronte shpirtërisht dhe estetikisht. Se arti është i drejtë domosdo duhet të jetë edhe ideor.

Tashmë është krejt e painteres që lexuesi të lidhet me farë formulash ideore, apo nuk guxojmë që te ai të ngacmojmë këtë reaksion ideor në mënyrë emocionale, përmes transfor­mimit artistik, se këtu nuk ndihmojnë as mendimet as qëllimet më të mira, as frazat e larta mbi “dobinë”.

Nuk bën që poezia të shikohet vetëm si mjet i propagandës se ideve, madje edhe të atyre më përparimtare, e stili – vetëm si instrument i mendimeve. Arti ka nevojë për shpërndërrime të ndjenjave, të nervave, Dhe ku, pos në poezinë e mirë, ana e fuqishme t’ia heq mendjen lexuesit për ndërveprime të papri­tura dhe të fuqishme, duke qëndruar gjithkund më mirë se argumentet e formuara logjike. Dhe mundemi ne, duke kuptuar gjithë këtë, t’ia marrim të drejtën poezisë për zërin që ka gjatë atyre ditëve, kur letërsia zgjidh detyra shoqërore-kulturore. Përse nuk do të mund të dallonim, për shembull, prapa sim­boleve mistike të muzës së cfilitur të Rembosë dhe Verlenit kërkimin e mjeteve shprehëse të vargut, synimin që të mos përshkruhet karakteri i jashtëm, e me guxim të depërtojmë në fshehtësinë e ndjenjave dhe të mendimeve, në lidhjet e fshehta midis botës dhe nesh. Përse të mos çmohet orvatja e impresio­nizmit dhe e simbolizmit, të përafrohen sferat e gjinive të artit, – pikturës, muzikës dhe poezisë, orvatjen, e cila i ndihmon aq shumë njerëzimit të zbulojë të renë, faqen më të bukur të kulturës njerëzore?

Athua poezia qytetare, sociale nuk ka të drejtë në përkrye­rjen estetike, apo detyra e saj është – të jetë vetëm pllakat?

Satira është purgator i madh i shoqërisë. Dhe kështu, në ditët tona do mund të pajtoheshim me Hegelin, se “paraqitja përmes satirës në mënyrë të qartë lidhet me divergjencat e subjektivitetit dhe parimeve të tij abstrakte me realitetin empirik” dhe, se prandaj ajo nuk e përbën as poezinë e as veprën e vërtetë artistike”… Para së gjithash, një abstraktësi e tillë artistike, karakteristike për satirën didaktike-retorike, e cila, më duket, ju lutem, e ka thënë fjalën e vet në letërsinë evropiane të shekujve XVII-XVIII e edhe në letërsinë tonë të Rilindjes. Përveç kësaj, ajo nuk e lind mendimin e shkrimtarit; ajo është e mbyllur në “realitetin empirik” – në të vjetrën e së shkuarës, dhe duke mos dëshiruar të jipet dhe, duke mos pretenduar në madhështinë e vet të humbur; në të shëmtuarën shpesh nuk ka pasur aq vend në jetën dhe në marrëdhënieve njerëzore, po e vendosur keq midis synimeve dhe qenësisë, fjalës dhe veprës, veprimeve reale dhe frazave të bukura. Prandaj satira është element përbërës i pashman­gshëm i çdo arti të vërtetë demo­kratik, i autorizuar që të vërtetojë farë idesh pozitive.

Të dish t’i deftosh botës, duke i përdorur mjetet më të mira të fantazis8 krijuese, vërtetësinë e saj të pasqyruar pa asnjë mashtrim optik mos do to thotë kjo, në mos të ndihmosh në çrrënjosjen e së keqes, atëherë gjithsesi të përcaktosh diagnozën e semundjes dhe t’i ofrosh njerëzimit një shërbim të padisku­tueshëm.

Ju keni të drejtë plotësisht: – ne s’kemi çka të presim dhe në çka të shpresojmë nesër. Populli ynë po vegjeton në injorancë të tmerr­shme, “i shtrënguar” ashtu nga fanatizmi fetar, dhe ashtu i verbër në pikëpamje ideore, çfarë është detyrë jo vetëm e shkrimtarit, po edhe e çdo biri të ndershëm të Shqipërisë- të zgjojë te ai aftësinë për të menduar dhe për të luftuar për të drejtat e veta.

Dhe, natyrisht, rol i paçmueshëm në këtë raport i bie publi­cistikës, që përmes miniaturave të qarta, të shkurta, të bind­shme, t’u japë përgjigje të ngutshme, si jehonë, të gjitha prob­lemeve politike e shoqërore, nga zgjidhja e të cilave varet e ardhshmja e gjithë kombit e, para së gjithash, e popullit. (I. Rugova, S. Hamiti, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1979)

______

[1] Nga libri G. I. Ejntrei, Tvorchestvo Mid’ent, (Krijimtaria e Migjenit), Leningrad, 1973, kap. II, f. 42-43, 39-40. Tekstin që e kemi këtu të titulluar nga ne, në fakt është pjesë e disa fragmenteve të Letrës së Migjenit dërguar Botës së re më 14 qershor 1936, ashtu se, siç e thekson Ejntrej, Letra, për fat të keq, nuk u botua në revistë dhe nuk u ruajt në tërësi. (f. 40). (Nga rusishtja: I. Rugova)

[2] Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla, 1911-1938) lindi në Shkodër dhe vdiq në Torre Peliçe afër Torinos. Mësimet e para i mori në Shkodër e të mesmet në Manastir më 1932. Punoi mësues në fshatrat Pukë e Vrrakë deri më 1938. Atë vit shkon për shërim në Itali, ku edhe vdes nga sëmundja e tuberkulozit. Filloi të botojë menjëherë pas kthimit në Shqipëri, e sidomos gjatë viteve 1935-1936 te Rilindja, Bota e re, Përpjekja Shqiptare, Illyria etj. Më 1936 iu botua libri me poezi Vargjet e lira, i cili u ndalua nga censura e atëhershme. Veprat e tij u botuan mbas çlirimit, një libër poezish, e më 1961, Skënder Luarasi përgatiti një vëllim të poezisë, të prozës dhe të letërkëmbimit të tij, me titull Vepra, botuar në Tiranë. Vetëm më 1963 u botua një vëllim në Prishtinë e më 1977 nën përkujdesjen e Ali Aliut dhe Rrahman Dedajt u botuan veprat e tij në katër vëllime. (Kritika letrare, I. Rugova dhe S. Hamiti, Rilindja, Prishtinë, 1979)

Exit mobile version