Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se ata janë në prag të futjes në greva dhe daljes në protesta.
Azemi, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se lajm i mirë është që punëtorët e sektorit privat që kryejnë punë për Komunën e Prishtinës do të marrin paga rreth 500 euro në muaj.
Ai thotë se këto paga do të merren nga muaji nëntor, ndërsa në mënyrë retroaktive do të marrin pagat për tërë vitin.
Azemi thotë se të martën dhe të mërkurën do të protestojnë punëtorët e sektorit privat ndërsa varësisht prej reagimeve, të enjten mund të vendoset nëse do të ketë greva.
Duke folur për pagën minimale, Azemi thotë se paga minimale prej 250 eurove është diskutuar në Qeverinë Haradinaj, ndërsa sipas tij kjo më “as që vjen në shprehje”.
Ai ka përmendur si opsion pagën minimale 350 euro sit ë parapëlqyer nga sindikata.
Kryetari i Sindikatave të Sektorit Privat ka thënë se inspektorët janë përgjegjësit shumë të mëdhenj për mos inspektim dhe mos raportim të shkeljes së drejtave të punës.
Ai thotë se ata janë korruptuar nga kompanitë private dhe dëmi shkon në kurriz të punëtorëve.
Azemi thotë se nga të gjitha qeveritë kanë shpresuar se do të punojnë në të mirë të punëtorëve por deri tash janë zhgënjyer si sindikatë.
Ai thotë se edhe më numrin aktual të inspektorëve gjendja mund të përmirësohet por vetëm nëse këta të fundit nuk korruptohen nga kompanitë private./Telegrafi/