Naim Rrustemi nga Sindikata e punëtorëve në Gjykatën Themelore në lidhje me reduktimin e punës në Pallatin e Drejtësisë si mungesë e klimatizimit ka thënë se gjendja e rënduar ka qenë e vazhdueshme që prej vitit 2014 kur është inauguruar objekti.
Sipas tij, mosfunksionimi i klimatizimit në këtë objekt bën që temperaturat e larta të pamundësojnë punën.
“Gjendja e rënduar ka qenë e vazhdueshme që prej vitit 2014 kur është inauguruar objekti. Mosfunksionimi i klimatizimit në këtë objekt bën që temperaturat e larta të pamundësojnë punën”, ka thënë Rrustemi.
Ai ka thënë se mungesa e ajrit në objekt është enorme dhe kjo përveçse ndikon tek punëtorët siç thotë ai ndikon edhe te qytetarët.
Ndryshe, nga e mërkura e 26 korrikut do të reduktohet puna në Pallatin e Drejtësisë.
Këtë e ka bërë të ditur kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj i cili ka thënë se gjatë ditës do të autorizojë kryetarët e Gjykatave që punojnë në pallat për të vendosur rreth reduktimit të punës, në hapësirat ku temperaturat janë të larta.
Ai pas mbledhjes me kryetarët e Gjykatave ka thënë se kanë ardhur deri te ky vendim, pas gjendjes së rënduar që është në pallat dhe se nuk kanë dashur që të ndërpresin të gjithë punën.
Zogaj tutje ka thënë se pavarësisht kërkesave të shumta që ua kanë bërë institucioneve përgjegjëse, ato kanë hasur në vesh të shurdhër.
KGJK të martën u ka drejtuar një letër të hapur udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, më anë të secilës paralajmëron ndërprerjen e punës për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së klimatizimit në Pallatin e Drejtësisë.
Në letrën drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, ministrit të Financave, Punës dhe Transferëve, Hekuran Muratit dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, KGJK-ja thotë se punonjësit në Pallatin e Drejtësisë janë duke punuar në kushte alarmante. /Dukagjini/