Telegrafi

Kryeprokurori flet për dhunimin e 12-vjeçares në Ferizaj: I dyshuari është 19-vjeçar, rasti ka ndodhur në shtëpinë e tij

Një 12-vjeçare është raportuar të hënën se është dhunuar në Ferizaj. I dyshuar për këtë rast është një 19-vjeçar, i cili është arrestuar dhe ndaj tij është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Kështu bëri të ditur për Telegrafin kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili tha se rasti ka ndodhur në shtëpinë e të dyshuarit.

“Rasti ka ndodhur në shtëpinë e të dyshuarit dhe e mitura me vullnet ka shkuar në shtëpinë e tij. Rasti ka ndodhur të dielën, ndërsa është raportuar të hënën nga nëna e viktimës”.

“I dyshuari është i moshës 19-vjecare. Është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. E mitura është e moshës 12-vjeçare”, deklaroi Jashari.

Ai tutje tha se janë marrë gjurmët në vendin e ngjarjes dhe janë dërguar në laboratorin e forenzikës për ekzaminim.

Ndryshe, për rastin ka njoftuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Ferizaj 21.11.2022 – 01:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se vajza e saj e moshës 12 vjeçare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dinte për vendndodhjen e saj. Njësitë policore kanë arrite të gjejnë viktimën”, thuhet në raportin policor.

I dyshuari u bë e ditur se është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Rasti në polici është hapur si “Dhunim”./Telegrafi/