Site icon Telegrafi

Kryeministrja Magdalena Andersson pranon humbjen në zgjedhjet parlamentare suedeze

Kryeministrja socialdemokrate e Suedisë, Magdalena Andersson pranoi humbjen të mërkurën pas zgjedhjeve të së dielës, duke ia pranuar fitoren bllokut katërpartiak të opozitës të krahut të djathtë dhe me këtë duke ia dhënë të drejtën që të bëjë përpjekjen të formojë një qeveri të re.

Në Suedi ka mbetur një numër i vogël i votave pa u numëruar, por zonja Andersson, e cila u bë kryeministrja e parë grua e Suedisë vitin e kaluar, tha se rezultatet treguan se blloku i të djathtës kishte fituar.

“Në parlament, ata kanë një ose dy vende më shumë”, tha Andersson në një konferencë shtypi duke se shtuar se “është një shumicë e vogël, por megjithatë është shumicë.”

Andersson tha se do t’i kërkonte kryetarit të parlamentit të enjten që ta lironte nga detyrat e saj si kryeministre.

Ulf Kristersson, kreu i Partisë së Moderuar, është kandidati i së djathtës për postin e kryeministrit, raporton zerimaerikes.

“Tani do të filloj punën për formimin e një qeverie të re për të gjithë Suedinë dhe të gjithë qytetarët,” u tha Kristersson gazetarëve.

Të moderuarit, demokratët, kristiandemokratët dhe liberalët ishin në epërsi me një mandat më shumë pas zgjedhjeve të së dielës, por sipas shifrave të fundit ky koalicion tani kanë 176 vende në parlamentin 349 vendesh ndaj 173 vendeve të qendrës së majtë.

Rezultati pritet të konfirmohet zyrtarisht më së largu këtë fundjavë.

Zgjedhjet shënojnë një pikë kthese në politikën suedeze pasi Demokratët suedezë të njohur për politikat e hapura kundër imigracionit dhe që fillimisht injoroheshin nga të gjitha partitë kryesore kur hynë për herë të parë në parlament në vitin 2010, tani janë në pragun e fitimit të ndikimit mbi politikën e qeverisë.

Kryeministrja në largim, Andersson tha se ajo e kuptonte se shumë suedezë ishin të shqetësuar që një parti e ekstremit të djathtë tani është partia e dytë më e madhe e vendit.

Demokratët suedezë duket se do të fitojnë 20.6 për qind të votave, duke kaluar të moderuarit, të cilët morën 19.1 për qind, si partia më e madhe në të djathtë.

Megjithëse partia e Kristersson është më e vogël, udhëheqësi demokrat Jimmie Akesson nuk e ka mbështetjen e nevojshme nga e djathta për tu bërë kryeministër.

Kryeministri në ardhje, Kristersson do përballet me një sërë sfidash.

Suedia momentalisht gjendet në mes të një krize të kostos së jetesës, ndërsa mund të përballet me recesion vitin e ardhshëm.

Lufta në Ukrainë e ka destabilizuar rajonin e Balltikut. Suedia e ndan një pjesë të kufirit me Rusinë. Vendi gjithashtu ka pasiguri edhe nëse Turqia do të pajtohet përfundimisht me kërkesën e Stokholmit për anëtarësim në NATO. /Telegrafi/

Exit mobile version