Zyra e kryeministrit të Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se pasi kryeministri Avdullah Hoti ka dalë pozitiv, edhe stafi i tij do t’u përmbahet protokollove të sugjeruara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike
Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se agjenda e punës e Qeverisë së Kosovës nuk do të ndikohet, ndërsa do ta koordinojë punën nga shtëpia në konsultim me zëvendëskryeministrat.
“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, me sugjerimin e mjekëve, dje pasdite e ka bërë testin për COVID- 19. Porsa ka marrë rezultatin, ai është vetizoluar dhe do të vazhdojë t’i kryejë obligimet e tij nga shtëpia, online. Ndërsa, stafi i Zyrës së Kryeministrit do t’u përmbahet protokollove të sugjeruara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Ndërkohë, agjenda e punës e Qeverisë së Kosovës nuk do të ndikohet. Kryeministri Hoti do ta koordinojë punën nga shtëpia në konsultim me zëvendëskryeministrat”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19.
Lajmin e ka bërë të ditur një ditë më parë përmes një shkrimi në Facebook. /Telegrafi/