Siç njoftojnë nga Qeveria, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev sot në Vjenë realizoi takim me kancelarin e Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz.
Kryeministri Zaev ka falënderuar kancelarin Kurz, por edhe Qeverinë e Republikës së Austrisë për gjithçka që kanë bërë për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Tani që kur nisi të zbatohet marrëveshja e Prespës, përqendrohemi në mënyrë të plotë te reformat në shtëpi. Arritja e marrëveshjes kishte impakt pozitiv ndaj gjithë rajonit. Me marrëveshjen arritëm të tregojmë se me partneritet dhe dialog mund të arrihet shumë”, tha Zaev në takimin me kancelarin Kurz.
Në takim kryeministri Zaev ceku se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian është e vetmja zgjedhje.
“Pas marrëveshjes historike mes vendit tonë dhe Greqisë, është koha të përkushtohemi te çështjet e ekonomisë”, tha Zaev.
Takimi, siç ka theksuar kancelari i Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz, edhe njëherë e vërteton miqësinë mes dy vendeve. Pas suksesit të zgjidhjes së kontestit me Greqinë, Republika e Austrisë shpreson se këtë vit, Republika e Maqedonisë së Veriut do të fillojë bisedimet me BE-në, ndërsa siç tha kancelari Kurz, Austria edhe më tej do ta jep mbështetjen e nevojshme për Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/