Telegrafi

Kryeministri suedez për pandeminë COVID-19: Kemi nënvlerësuar fuqinë shkatërruese të coronavirusit

Kryeministri suedez Stefan Lofven, ka deklaruar sot se zyrtarët që kishin vendosur që gjatë valës së parë të pandemisë së coronavirusit në Suedi të mos aplikohen masat kufizuese, e kishin nënvlerësuar fuqinë shkatërruese të virusit, shkruan AP.

“Mendoj se shumë prej tyre nuk e kishin parë se çfarë vale po zhvillohej para nesh”, ka thënë Lofven gjatë një interviste dhënë për Aftenposten, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër Agjencia suedeze e Statistikave, ka njoftuar se në nëntor janë evidentuar në përgjithësi mijëra vdekje, që është shkalla më e lartë në këtë vend që nga fillimi i pandemisë së gripit spanjoll.

Në Suedi sot janë konfirmuar 320.098 raste me COVID-19 dhe 7.516 të vdekur, që është një shifër shumë më e lartë sesa shtetet tjera fqinje.

Suedia është ndër të paktat vende që nuk ka aplikuar masa mbrojtëse siç është ndalimi i tubimeve publike apo mbyllja e restoranteve. /Telegrafi/