Site icon Telegrafi

Kryeministri s’pranon kushte të Listës Serbe

Këshilltari i kryeministrit për minoritete, Bajram Gecaj, ka thënë se Listës Serbe i kanë bërë ftesë që të ulen të bisedojmë, por përgjigja e tyre ka qenë se janë duke i përfunduar disa çështje të brendshme.

Gecaj ka thënë se nuk e kanë ndërmend t’ua qesin lakun në fyt që të kthehen në Qeveri.

“Ju kemi bërë ftesë dhe ata na kanë thënë që i kanë disa konsultime të brendshme. Unë e kam thënë edhe më herët se nuk e kemi ndërmend t’ua qesim lakun në fyt, ne iu kemi thënë duhet të vini te kryeministri të bisedojmë, e ata na kanë thënë që kur t’i përfundojnë këto konsultimet na lajmërojnë, kështu që ne jemi duke i pritur”, ka thënë Gecaj për lajmi.net

Gecaj ka thënë se Lista Serbe duhet të vijnë në zyre të kryeministrit dhe të bisedojmë, por jo të flasin nëpër media.

“Ata duhet të vijnë të na e thonë neve, jo nëpër media. Ata duhet të vijnë te kryeministri. Disponimi i kryeministrit është të ulet me ta dhe të shohim çfarë brengash kanë dhe si mund të zgjedhim”.

Ndërsa për kushtet që i kanë paraqitur Lista Serbe nëpër media, se pa nisur negociatat për themelimin e ekipit për Asociacionin nuk kthehen në Qeveri, Gecaj ka thënë se kryeministri Mustafa nuk pranon asnjë kusht.

“Kushte nuk pranon kryeministri. S’mundet askush të na vë kushte për bisedime, ata janë pjesë e qeverisë dhe duhet të vijnë të bisedojmë”.

Gecaj ka thënë se qeveria është duke funksionuar edhe pa ta. /lajmi.net/

Exit mobile version