Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, është jashtë rrezikut për jetë por mbetet në qëndrim intensiv katër ditë pasi u qëllua nga një person i armatosur, ka njoftuar zëvendëskryeministri sllovak, Tomas Taraba.
“Edhe pse nuk është në rrezik për jetë, gjendja e tij mbetet serioze”, tha aleati më i ngushtë i Ficos, Ministri i Mbrojtjes, Robert Kalinak.
“Ne të gjithë ndihemi më të relaksuar tani”, shtoi Kalinak.
Ministri tha se Fico për momentin do të qëndrojë në spitalin e Banska Bystrica, pasi gjendja e tij serioze nuk e lejon të transferohet në spitalin e kryeqytetit, Bratislavë.
Ndryshe, Fico 59 vjeç, u qëllua me armë teksa ishte duke u përshëndetur me mbështetësit e tij pas një takimi të qeverisë në Handlova, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Siç raporton Ministri i Brendshëm i Sllovakisë, Matush Sutaj-Estok, “nëse një nga plumbat do të kishte shkuar vetëm disa centimetra më lart, do ta kishte goditur mëlçinë e kryeministrit”.
Fico deri më tani i është nënshtruar dy operimeve.
Ndërkohë, i armatosuri i dyshuar, i identifikuar si poeti Juraj Cintula, 71 vjeç, u akuzua për tentativë vrasjeje me paramendim dhe është dërguar në paraburgim.
Gjykata Speciale Penale e Sllovakisë ka urdhëruar ndalimin e tij pasi ka frikë se ai mund të ikë dhe të kryejë krime të tjera.
Bëhet e ditur se të shtënat ndaj Ficos ishin përpjekja e parë e madhe për vrasjen e një lideri politik evropian në më shumë se 20 vjet. /Telegrafi/