Site icon Telegrafi

Kryeministri Mustafa udhëtoi për vizitë zyrtare në New York

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në New York, ku do të zhvillojë takime me liderë të shteteve të cilët janë pjesë e aktiviteteve në kuadër të zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, gjatë vizitës Mustafa do të marrë pjesë edhe në evente të veçanta të organizuara nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, nga Fondacioni Clinton si dhe do të takojë shumë presidentë, kryeministra dhe udhëheqës të delegacioneve shtetërore e drejtues të organizatave ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.

Gjatë qëndrimit në New York, ku shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kryeministri Mustafa do të zhvillojë takime me përfaqësues të administratës amerikane, me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të saj, drejtuesit më të lartë të Kombeve të Bashkuara si dhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Mustafa do të kërkojë mbështetjen e vendeve partnere për fuqizimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe do të lobojë për njohjen e Kosovës nga shtete që ende nuk e kanë marrë këtë vendim. /Telegrafi/

Exit mobile version