Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili i ka pritur dy medalistet e Kampionatit Evropian në Xhudo, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, ka thënë se është i lumtur që ka pritur dy sportistet më të mëdha të Kosovës.
“Sot i kemi pritur sportistet më të mëdha të vendit, Majlindën e Norën dhe ekipin e tyre. Mburremi me atë se çka i kanë dhënë Kosovës, i uroj për fitoret dhe uroj që të na sjellin dhe medalje olimpike”, ka thënë kryeministri.
Po ashtu, ai ka theksuar se suksesi i Majlindës, e cila mori medaljen e artë në Rusi dhe Nora Gjakovës që mori të bronztën, tregon më së miri se të rinjtë e Kosovës kanë nevojë të dalin në arenën ndërkombëtare që të tregojnë vlerat e tyre.
“Fitoret e tyre flasin më së miri për të rinjtë tanë dhe sportistët që kanë vlera të mëdha. Ata kanë nevojë që të lejohen të dalin jashtë shtetit për të treguar vlerat”, ka deklaruar Mustafa.