Site icon Telegrafi

Kryeministri Kurti udhëton për në SHBA – merr pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit, aty është edhe Vuçiq

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, kanë udhëtuar mbrëmë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit.

Kryeministri Kurti do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës, ndërkaq seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është thirrur me kërkesë të Serbisë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, kanë udhëtuar mbrëmë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Kurti pritet të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet sonte në orën 21:00 sipas orës lokale të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndryshe, sot në New York në ora 21:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, me kërkesë të Serbisë, pas vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit nga Banka Qendrore e Kosovës.

Mediat në Serbi kanë bërë të ditur se në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit, Serbia do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version