Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të udhëtojë drejt Kroacisë pas aksidentit tragjik të autobusit me mërgimtarët, ku humbën jetën nëntë prej tyre së bashku me njërin prej shoferëve.
Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.
Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim është bërë e ditur se institucionet e Republikës së Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate, të cilat kanë konfirmuar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë. Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjenë me dhimbjen e familjeve të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik. Të lënduarit i sigurojmë se do t’u qëndrojmë afër deri në shërimin e plotë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ndërkaq mediat kroate kanë raportuar se kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq ka konfirmuar se do të takohet me kryeministrin Kurti në Slavonski Brod rreth orës 18:00 të ditës së sotme, raporton index.hr.
Dy liderët më pas do të vizitojë spitalin ku po trajtohen pasagjerët e plagosur dhe pritet të mbajnë konferencë për shtyp.
Ndryshe, tashmë shoferi i mbijetuar ka pranuar para një zëvendësprokurori se para aksidentit tragjik në një moment e kishte zënë gjumi. /Telegrafi/