Site icon Telegrafi

Kryeministri Kurti takon kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi – flasin për problemet e shqiptarëve në Luginë dhe pasivizimin e adresave  

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ndërsa u diskutua për problemet me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë dhe për shlyerjen nga regjistri civil.

Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se Arifi e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për buxhetimin e 2 milionë eurove për komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

“E kemi mirëpritur ndarjen e këtyre mjeteve edhe për faktin që për herë të parë jemi bërë pjesë e buxhetit të Kosovës”, tha Arifi, duke shprehur shpresën se kjo shumë do të rritet vit pas viti.

Në takim u diskutua për problemet me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë dhe z. Arifi shprehu shqetësimin për vazhdimin e shlyerjes së tyre nga regjistri civil.

Në Serbi ekziston ligji për shlyerjen e qytetarëve nga regjistri civil nëse nuk banojnë në adresat të cilat i kanë të paraqitura, por kjo shlyerje apo pasivizim, po ndodh në mënyrë selektive dhe nga kjo më së shumti pësojnë qytetarët shqiptarë.

“Për ne ky veprim i politikës serbe paraqet tendencë për ndryshimin demografik të komunave me shumicë shqiptare”, tha Arifi.

Teksa u shpreh mirënjohës për subvencionimin nga Qeveria të specializantëve që deri më tani ishin me vetëfinancim, Arifi theksoi problemin e mosnjohjes nga Serbia të diplomave të Republikës së Kosovës, që po e pamundëson punësimin e të diplomuarve dhe po nxit migrimin e profesionistëve në vendet perëndimore.

Kryeministri Kurti tha se në takimet që ka pasur në Bruksel me palën serbe, por edhe në të gjitha takimet e konferencat ndërkombëtare vazhdimisht e rithekson se për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë, duhet të zbatohet reciprociteti i të drejtave të minoriteteve në shtetet e rajonit.

“Për çështjen e diplomave, certifikatave, patentë shoferëve e letërnjoftimeve është duke u insistuar  në Bruksel, por Serbia vazhdon të refuzojë të njohë dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim dhe për të ndihmuar banorët shqiptarë, dhe kërkoi nga liderët shqiptarë që t’i koordinojnë dhe t’i bashkërendojnë veprimet politike.

Në takim ishin të pranishëm edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni e Avni Dehari, dhe babai i aktivistit të vrarë të LVV-së, Arben Xheladini, Shaban Xheladini.

Në njoftim thuhet se takimi me Nagip Arifin është vazhdimësi e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe shtimin e bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. /Telegrafi/

 

Exit mobile version