Telegrafi

Kryeministri Kurti takon komandantin e KFOR-it, Ristuccia – flasin për largimin e suksesshëm të barrikadave dhe lirinë e lëvizjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pritën në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia dhe oficerë të tjerë të lartë të KFOR-it e të karabinierëve italianë në kuadër të Njësisë Multi-nacionale të Specializuar (MSU).

Bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) në shërbim të paqes dhe sigurisë, ishin në qendër të këtij takimi.

Në veçanti u trajtua largimi i suksesshëm i të 16 barrikadave të cilat po shkelnin rendin e ligjin dhe lirinë e lëvizjes për qytetarët në katër komunat në veri të Ibrit.

Kryeministri Kurti dhe Gjenerali Ristuccia u pajtuan për vazhdimin e komunikimit të shpeshtë dhe bashkëpunimit të rregullt në shërbim të ruajtjes së sigurisë, paqes dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës dhe lirisë së lëvizjes, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim. /Telegrafi/