Në ditën e dytë të qëndrimit në Izmir të Turqisë, kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Kosovës, Agon Vrenezi dhe konsullja e përgjithshme, Suzan Novobërdaliu, u mirëprit nga kryetari i Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay dhe bashkëpunëtorët e tij.
Sipas njoftimit nga Kryeministria, gjatë këtij takimi miqësor, u diskutua për rolin e rëndësishëm të mërgatës sonë në Izmir dhe kontributin e tyre në zhvillimin e kësaj zone.
“Kryeministri Kurti dhe kryetari i Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Tugay, biseduan edhe rreth mundësive për bashkëpunim në rrafshe të ndryshme, përfshirë këtu në atë të ekonomisë, kulturës, sportit dhe qeverisjes lokale”, thuhet në njoftim.
Kurti dje në Izmir u takua edhe me guvernatorin e Izmirit Suleyman Elban.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar guvernatorin Suleyman Elban në zyrën e tij”, ka shkruar zyra e Guvernatorit të Izmirit në platformën “X”.
Kurti po ashtu do të takohet edhe me diasporën shqiptare në Turqi./Telegrafi/