Telegrafi

Kryeministri Kurti në përkrahje të filmit “Zgjoi”: I bazuar në një histori të vërtetë, përshkruan qëndresën e grave të Krushës

Filmi kosovar “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, ‘Oscars’, në kategorinë Filmi Ndërkombëtar me metrazh të gjatë.

Ditën e nesërme (27 janar) ndërkohë fillon votimi i nominimit për “Oscars”, ndërsa përfundon të martën (1 shkurt).

Më 8 shkurt në anën tjetër bëhet e ditur lista finale e nominimeve.

Lidhur me këtë një reagim e ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në një postim në Twitter ka shfaqur përkrahjen e tij për filmin që ka pushtuar botën.

Tutje, Kurti thekson se ky është një film i bazuar në histori të vërtetë që përshkruan qëndresën e grave të Krushës.

Lexo po ashtu Të enjten nis votimi për “Oscars 2022”, Dua Lipa tregon mbështetjen për filmin “Zgjoi”
zgjoi

“Nesër fillon votimi i nominimit për Oscar, përfshirë edhe për Hive. Ky film, i bazuar në një histori të vërtetë, përshkruan qëndresën e grave të Krushës”, ka thënë Kurti.

“Triumfi i tyre erdhi si rezultat i forcës që i dhanë njëri-tjetrit”, ka vazhduar më tej ai.

Blerta dhe aktorja Yllka Gashi theksuan që Kosova ka shumë mundësi që sivjet të nominohet në ‘Oscars’, teksa kërkuan që sa më shumë të promovohet në rrjete sociale. /Telegrafi/