Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) është mbajtur në Heraklion të Greqisë, ku Kosova ka fituar organizimin e Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Kandidatura “Prishtina 2030” ka marrë 58 vota pro, pra shumicën dërmuese të votave të të pranishmëve, derisa shtatë ishin kundër.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë lajmin e gëzuar, duke e quajtur arritje të jashtëzakonshme.
“Ia dolëm. Faleminderit. Lajm i shkëlqyer për Kosovën dhe për gjithë ne. Mirënjohje për të gjithë që kanë mbështetur kandidaturën. E çmojmë mundësinë që na është dhënë për të bashkuar 26 anëtarët e Lojërave Mesdhetare në vendin tonë. Uroj të gjithë në Kosovë, sidomos sportistët tanë dhe komunitetin sportive. Kjo e arritur është rezultat i punës së madhe. Nuk ka të bëjë vetëm me medalje, por edhe nxitjen e miqësisë. Këto lojëra do të jenë testament i shkëlqyer i madhështisë së Kosovës dhe rajonit mesdhetar”, ka thënë Kurti.
Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një videoje të publikuar, ka uruar qytetarët për këtë arritje.
“Shumë të dashur qytetarë, nga këtu në Heralconit të Kretës, ku sapo u mor vendimi me gëzim të papërmbajtshëm ju njoftoj se Prishtina u shpall mikëpritëse të edicionit ë 21-të të Lojërave Mesdhetare 2023”, ka thënë ndër të tjera Rama.
Në këtë agrë të madhe marrin pjesë 26 shtete nga tri kontinente, e të cilat do të zbarkojnë në Kosovë në verën e vitit 2030.
Ngjarjet do të zhvillohen në të gjitha palestrat në Kosovë, ndërsa sportet ujore do të organizohen në Durrës. /Telegrafi/