Në 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla kanë nderuar pjesëtarin e forcave speciale të Policisë së Kosovës, të rënë në krye të detyrës, heroin Enver Zymberi.
“Bashkë me Ministrin Sveçla vendosëm lule në vendin e rënies së tij, në rrugën nacionale që lidhë Mitrovicën me Zubin Potokun, në afërsi të fshatit Zubç”, ka njoftuar Kurti përmes një shënimi në Facebook të shoqëruar edhe me pamje filmike.
Por i pari i Qeverisë bashkë me Sveçlën kanë shkuar edhe më tej duke vizituar edhe dy pika tjera të ndjeshme për nga aspekti i sigurisë.
“Vizituam edhe bazën e re të Policisë së Kosovës në Jasenovik të Zubin Potokut, si dhe kampin Belvedere në Mitrovicë”, ka shkruar Kurti.
Polici Enver Zymberi ra në krye të detyrës me 25 korrik të vitit 2011.
Mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, ROSU, ishte nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato.
Por, ROSU hasi në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymberi.
Zymberi ishte pjesëtar i njësiteve speciale që atë kohë quheshin “ROSU” që nga viti 2000.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”./Telegrafi/